Trump dhe Biden, debati i fundit para zgjedhjeve!

Kandidati republikan, Presidenti Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, ish-nënpresidenti Joe Biden, zhvilluan një debat të fortë të enjten, vetëm 12 ditë para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Marketing

Për 90 minuta, dy kandidatët shkëmbyen akuza. Ata sulmuan njeri-tjetrin për qëndrimet ndaj masave kundër pandemisë. Ata u përplasën lidhur me kujdesin shëndetësor, ekonominë, krimin, marrëdhëniet racore dhe ndryshimet klimatike. Presidenti Trump tha se meritonte një mandat të dytë, pasi “suksesi do të na bashkojë; kishim ekonominë më të mirë para se të shpërthente pandemia”. Presidenti u zotua ta rikthente në të njëjtën gjendje ekonominë.

“Nëse fiton Biden do të përjetoni një depresion ekonomik që nuk e ka parë njeri”, tha Trump.

Biden, me një përvojë në politikë prej afro një gjysmë shekulli, e sulmoi vazhdimisht presidentin për udhëheqje të gabuar, kaotike dhe u zotua se si president ai do ta bashkonte vendin. Ai përsëriti akuzat e tij ndaj Presidentit Trump lidhur me reagimin ndaj pandemisë.

“Kushdo që është përgjegjës për një numër kaq të madh vdekjesh nuk duhet të vazhdojë të jetë president i SHBA, Ky është i njëjti person që ju tha se do të zhdukej kur të vinin Pashkët. I njëjti person që ju tha të mos shqetësoheni, se do të marrë fund kur të vijë vera. Ne jemi tani në prag të një dimri të errët dhe ai nuk ka plane”, u shpreh Biden.

Debati i transmetuar në shkallë kombëtare u zhvillua në Neshville të Tenesit dhe ishte mundësia e fundit për dy kandidatët për të dalë përballë njëri-tjetrit në përpjekje për të shpjeguar politikat e tyre dhe përgjigjen ndaj pandemisë që deri tani ka shkaktuar mbi 222 mijë viktima në SHBA dhe ka goditur rëndë ekonominë.

Në përfundim të debatit, sondazhet treguan një epërsi të Biden. Sipas CNN, data Progress dhe US politics, kandidati demokrat ishte fitues i debatit.