Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Meksika e kanë arritur një marrëveshje për t’i shmangur taksat ndaj prodhimeve të Meksikës që importohen nga ShBA-ja. Lajmin e kanë konfirmuar zyrtarët e të dyja shteteve të premten në mbrëmje.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e kishte kërcënuar Meksikën me taksë 5 për qind për të gjitha prodhimet që importohen nga ky shtet, nëse vendi fqinj nuk i pranon masat për pengimin e imigrantëve në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Këto taksa ishin planifikuar të hynin në fuqi nga dita e hënë, por presidenti Trump njoftoi përmes rrjetit social, Twitter, se të dyja qeveritë kanë arritur marrëveshje dhe se taksat janë anuluar për një periudhë të pacaktuar.

“Faleminderit për përkrahjen e të gjithë meksikanëve, zbatimi i taksës ndaj prodhimeve meksikane që eksportohen në Shtetet e Bashkuara është shmangur”, shkroi në Twitter presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador.

Përmes një deklarate të përbashkët, të dyja vendet thanë se Meksika është pajtuar që menjëherë ta zgjerojë programin për dërgim të migrantëve që kërkojnë azil nga Shtetet e Bashkuara në Meksikë, ku do të qëndrojnë deri në shqyrtimin e rasteve të tyre nga gjykatat.

Në këtë deklaratë thuhet se Meksika është pajtuar gjithashtu t’i shtojë forcat dhe masat e sigurisë për ndalimin e migrantëve që synojnë të shkojnë në Shtetet e bashkuara, përfshirë angazhimin e trupave ushtarake në kufijtë e saj jugorë dhe luftimin e grupeve që bëjnë trafikim të njerëzve, shkruan “The Guardian”.