Trumpi bllokon kufizimet ndaj biznesit të armëve me Arabinë Saudite

Megjithë kritikat, Presidenti i SHBA nuk i braktis marrëveshjet e armatimit me Arabinë Saudite dhe me Emiratet Arabe. Trumpi ka marrë gjithashtu kurs konfrontues me kongresin – dhe nuk i ka punët keq.

Marketing

Presidenti i SHBA Donald Trump ka vënë veton ndaj vendimeve të Kongresit për të bllokuar marrëveshjet e armëve prej miliarda dollarësh me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Trumpi deklaroi se një anulim i dërgimit të armëve do të “dobësonte aftësinë për konkurrencë të SHBA” dhe do të dëmtonte “marrëdhëniet e rëndësishme” me aleatët. Përveç kësaj, një bllokadë e furnizimeve do të zgjaste luftën e Jemenit dhe vuajtjet e popullatës së atjeshme: Pa municione precize, do të kishte “më shumë, jo më pak viktima civile”, tha Trumpi.

Qeveria e SHBA pati anashkaluar Kongresin në maj, në një veprim të rrallë, për të miratuar shitjen e armëve, municioneve, pajisjeve dhe mirëmbajtjen e avionëve ndaj Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë. Ministri i Jashtëm i SHBA Mike Pompeo e arsyetoi këtë veprim duke thënë se furnizimet me vlerë 8.1 miliardë dollarë (7.2 miliardë euro) nevojiten urgjentisht për shkak të aktiviteteve të Iranit, në armiqësi të thellë me Arabinë Saudite.
Refuzim edhe te republikanët e Trumpit

Por anashkalimi i Kongresit shkaktoi kritika të ashpra te parlamentarët dhe senatorët – duke përfshirë edhe radhët e republikanëve të Trumpit. U shpreh më tej droja se dërgimet e armëve mund të nxisnin më tej luftën e Jemenit. Prandaj, si Senati i dominuar nga republikanët, ashtu dhe Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga Demokratët miratpi rezoluta për të bllokuar marrëveshjet e armëve. Sidoqoftë pritej që presidenti të përdorte të drejtën e vetos. Përjashtohet që Kongresi Amerikan të mbivotojë veton e Trumpit.

Trumpi e bëri këtë për të tretën herë në mandatin e tij. Për të anashkaluar veton, do të nevojiteshin shumica prej dy të tretash në të dyja dhomat e Kongresit. Konsiderohet e pamundur që këto të arrihen. SHBA dhe Arabia Saudite janë aleatë tradicionalë. Megjithatë, kritikat ndaj Arabisë Saudite janë rritur më shumë si rezultat i veprimeve të Riadit në Jemen dhe vrasjes së gazetarit kritik ndaj qeverisë Jamal Khashoggi. Edhe në Gjermani ka herë pas here debate rreth marrëveshjeve të armatimit me Arabinë Saudite.

“Mburojë kundër aktiviteteve të dëmshme të Iranit”

Trumpi përkundrazi e mbështet në mënyrë të vendosur Riadin. Të mërkurën, presidenti tha se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin një “mburojë kundër aktiviteteve të dëmshme të Iranit dhe aleatëve të tij në rajon”. Furnizimit e armëve do të shtonin aftësinë e këtyre vendeve për të mbrojtur veten kundër kërcënimeve iraniane.

Në luftën e Jemenit, Arabia Saudite është në krye të një aleance arabe që mbështet trupat e Presidentit Abd Rabbo Mansur Hadi. Irani, nga ana tjetër, mbështet në Jemen rebelët shiitë Houthi. Sipas organizatave të ndihmave, në vendin e krizës janë vrarë tashmë dhjetëra mijëra vetë, shumë prej tyre civilë. Kombet e Bashkuara flasin për krizën më të rëndë humanitare në mbarë botën.

Marketing