Turizmi në Evropë, cilat janë planet e shteteve për udhëtimet dhe pushimet

BotaTurizmi në Evropë, cilat janë planet e shteteve për udhëtimet dhe pushimet
Publikuar në : 16:36 – 30/04/20 |
Teksa e gjithë bota po vuan pasojat e pandemisë, një nga sektorët më të dëmtuar është turizmi. Turizmi kontribuon me 10 përqind të të ardhurave të Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare janë nën trysni për të rikthyer lëvizjen brenda e jashtë vendit. Megjithatë, shtetet nuk kanë ende një plan të qartë për udhëtimet dhe pushimet.

Marketing

Kështu, Gjermania zgjati kufizimin për udhëtimet ndërkombëtare deri më 14 Qershor. Pas vendimit, pronarët dhe punonjësit e agjencive të udhëtimeve dolën nëpër rrugë në 30 qytete për të kërkuar mbështetjen e shtetit gjatë krizës.

Dalja e Francës nga izolimi pritet të nisë më 11 maj, por sa i përket plazheve, nëse do të rihapen, qasje mund të kenë vetëm vendasit. Franca thotë se nuk do të mund të shkohet në det të paktën deri në qershor, dhe të njëjtën gjë po mendon edhe Spanja.

Në Spanjë, hotelet do të rihapen nga 11 maji me rregullat e distancimit social, por shoqata e biznesit të hotelerisë në Madrid proteston se klientët e kanë të pamundur të vijnë për shkak të mbylljes së kufijve dhe mungesës së fluturimeve.

Ndërsa, Kroacia kërkon krijimin e korridoreve për turistët mes vendeve të BE-së, me epidemiologët që do të vendosin rregullat e lëvizjes. Ka raportime se turistët çekë do të lejohen në Kroaci në korrik dhe gusht.