Turqia dhe tensionet Rusi-Ukrainë

Ndërsa shtohen tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës, Turqia ndihet e zënë mes dy zjarreve. Ankaraja, e shqetësuar për të marrë vaksina ruse kundër koronavirusit dhe të ardhura nga turistët, përballet me një zgjedhje të vështirë, ndërsa Kievi kërkon të blejë dronë ushtarakë të prodhuar në Turqi. Ndërsa forcat ukrainase dhe ruse përballen lidhur me rajonin Donbas të Ukrainës, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është shprehur në mbështetje të Ukrainës.

“Turqia ka mbështetur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës,” thotë Erdogan.

Marketing

Udhëheqësi turk foli gjatë një takimi kohët e fundit me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Të dy vendet kanë një marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen. Analistët sugjerojnë se Kievi po përpiqet të zgjerojë flotën e dronëve ushtarakë të prodhuar në Turqi. Analisti për mbrojtjen Arda Mevlutoglu foli në Skype me Zërin e Amerikës.

“Aftësitë e dronëve turq në konflikte si Siria, Libia dhe Nagorno-Karabakh, duket se e kanë bindur Ukrainën të përdorë këta dronë në zona kritike si Donbas-i.”

Vitin e shkuar, dronët ushtarakë të blerë në Turqi i dhanë Azerbajxhanit avantazh në luftën kundër forcave armene të mbështetura nga Rusia në Nagorno-Karabakh.Por përdorimi i dronëve turq në Ukrainë mund të rrisë tensionet mes Turqisë dhe Rusisë. Huseyin Bagci drejton Institutin e Politikës së Jashtme.

“Nëse Ukraina përdor dronët turq kundër makinerisë ushtarake ruse, atëherë do të kemi një problem. Duket se Turqia do të shesë edhe 25 dronë të tjerë, sipas kontratës.”

Të hënën, kryediplomati rus Sergey Lavrov paralajmëroi Ankaranë që të mos i shesë më armë Ukrainës.

Ndërkohë, Rusia ka pezulluar përkohësisht shumicën e fluturimeve dhe udhëtimet turistike drejt Turqisë, duke përmendur shqetësimet lidhur me infeksionet nga pandemia. Disa analistë e shohin këtë si një shenjë presioni nga Moska.

Pandemia ka nxjerrë në pah kompleksitetin e marrëdhënieve Turqi-Rusi. Ndërsa Turqia përpiqet të gjejë vaksina të mjaftueshme, diskutimet kanë vazhduar lidhur me planet e furnizimit nga Rusia dhe ndoshta prodhimit të përbashkët të vaksinës me Turqinë. Zaur Gasimov punon në Universitetin e Bonit.

“Marrëdhëniet mes Moskës dhe Turqisë janë të tilla që mund t’u qëndrojnë konflikteve. Bashkëpunimi ka kaq shumë shtresa sa mund të tejkalojë situata të vogla si kjo, lidhur me bashkëpunimin ushtarak mes Ukrainës dhe Turqisë.”

Për momentin, analistët mendojnë se Rusia do të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Turqisë, duke përdorur bashkëpunimin për vaksinën si shpërblim dhe kufizimet turistike si ndëshkim.

Mes politikës dhe pandemisë, vendpushimet në Turqi, zakonisht të mbushura me turistë rusë, ka të ngjarë të qëndrojnë të boshatisura për një farë kohe./VOA

Marketing