Turqia paralajmëron se do të kundërpërgjigjet ushtarakisht nëse Greqia nis zgjerimin e ujërave territoriale, sipas parimit të 12 miljeve. Deklaratën e bëri zëdhënësi i partisë së presidentit Erdoan, i cili e konsideroi të rrezikshme përpjekjen e Athinës.

“Kjo është një sjellje e rrezikshme. Hapësira që ata e njohin si “zona 7” është pjesë e shelfit tonë kontinental. Përgjigjia e merituar do t’u jepet nga forcat tona të armatosura, që nuk do të hezitojnë të përmbushin kërkesën e Republikës së Turqisë”, tha zedhenesi i Erdoan.

Athina e ka bërë të qartë qëndrimin e saj se për sovranitetin territorial nuk merr urdhëra nga Ankaraja.

Por ish-ministri i Jashtëm grek Theodhoros Pangalos i bën thirrje qeverisë greke të tregohet e kujdesshme me çështjen e zgjerimit të hapësirës detare dhe marrëdhëniet me Turqinë.

“Do thoja që nuk duhet të përplasemi me Turqinë. Është një forcë e madhe, duhet ta pranojmë.

Por jeta e njeriut nuk ka të njejtën vlerë në Greqi dhe Turqi. Turqia është vend i botës së tretë ku mijëra njerëz vriten pa u folur fare për ta”, deklaroi Pangalos.

Kryeministri grek Alexis Tsipras nuk e çoi për dekret presidencial zgjerimin me 12 milje të hapësirës detare greke, por tha se do të kërkojë edhe mendimin e deputetëve dhe grupeve shkencore përpara se t’a hedhë për votim në Parlament.