Turqia përshëndet ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, ka njoftuar se Turqia përshëndet ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti i Greqisë, e cila zgjidh mosmarrëveshjen 28-vjeçare rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Aksoy iu përgjigj me shkrim pyetjes së drejtuar Ministrisë së Jashtme turke.

Ai duke tërhequr vëmendjen se Turqia, Republikën e Maqedonisë e njeh me këtë emër kushtetues që nga pavarësia e saj, tha se “çështja e emrit” që 27 vite përbënte pengesë para proceseve të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE).

“Përshëndesim ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, së pari nga Parlamenti i Maqedonisë e më pas edhe nga Parlamenti i Greqisë, me kuptimin se janë hequr pengesat për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE”, shtoi Aksoy.

Dje, Parlamenti i Greqisë me mbështetjen e 153 deputetëve nga gjithsej 300 deputetë, miratoi marrëveshjen e arritur me Maqedoninë apo siç njihet si “Marrëveshja e Prespës”, e cila parashikon ndryshimin e emrit të Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Pas ratifikimit të marrëveshjes edhe në Greqi, dy vendet përmbushën detyrimet drejt finalizimit të marrëveshjes, me çka Maqedonisë i hapet rruga për t’u bërë anëtarja e 30-të e NATO-s me emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Marrëveshjes e Prespës u nënshkrua në qershor të vitit 2018 nga qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë, zbatimi i së cilës është kusht për anëtarësim e Maqedonisë në NATO dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Kuvendi i Maqedonisë më 11 janar finalizoi Marrëveshjen e Prespës me ndryshimet kushtetuese.

Marketing