Turqia urdhëron arrestimin e mbi 1 mijë personave, dyshohen si “gylenistë”

Prokurorët turq lëshuan urdhër-arreste për 1,112 vetë të dyshuar për lidhje me klerikun fetar turk, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson për një përpjekje për grushtshtet në vitin 2016.

Të dyshuarit kërkohen në Ankara dhe në 75 provinca të tjera.
Sipas agjencisë së lajmeve Anadolu, bastisjet janë pjesë e një hetimi të mashtrimeve të supozuara në një provim të vitit 2010 për oficerët që do të bëheshin zëvendësshefa të policisë.

Të dyshuarve u janë dhënë pyetjet përpara testit, raportoi Anadolu.

Qeveria turke e akuzon Gulenin për përpjekje për të depërtuar në institucionet kryesore shtetërore, duke përdorur si taktikë, mes tjerash, mashtrimin në provimet publike.

Mbi 30 muaj pas puçit të dështuar në Turqi, autoritetet vazhdojnë të shënjestrojnë ndjekës të dyshuar të Gulenit.

Vetëm javën e kaluar janë dërguar në mbajtje mbi 370 sish.
Operacioni i së martës është njëri nga më të mëdhatë kundër rrjetit të Gulenit që nga përpjekja për grushtshtet, në korrik të vitit 2016.

Rreth 77,000 njerëz janë arrestuar dhe rreth 130,000 të tjerë janë shkarkuar nga puna shtetërore që nga ajo kohë.
Gulen mohon se qëndron pas përpjekjes për puç.