TV21 mëson vendimin e Supremes për ekstradimin e Morinës

Anëtarët e Këshillit të Gjykatës Supreme vendosën se ish-pjesëtari i UÇK-së Tomor Morina nuk duhet të ekstradohet në Serbi.

Këtë vendim TV21 e mëson ekskluzivisht nga burime të Supremes, ku shruhet se:

“Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë se Veriut njofton se më 14 gusht 2019, solli vendim për lëndën nr.30/2019 ku vërtetohet vendimi i Këshillit Penal i Sektorit për krim të organizuar dhe korrupsion në Gjykatën Penale Shkup KIOK-KS.nr 252/19 nga 07.08.2019, i cili vendosi se nuk përmbushen supozimet ligjore për ekstradimin e personit T.M, shtetas i Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës”.

Një mendim të tillë parimor-juridik më 7 gusht e dha edhe Gjykata Themelore e Shkupit, të cilët pasi e rishikuan dokumentacionin e plotë të kërkesës serbe për ekstradim, sollën vendim se nuk përmbushen kushtet për ekstradimin e Tomor Morinës. Këtë vendim Themelorja e solli duke e vlerësuar po ashtu edhe praktikën e deritanishme gjyqësore dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Më 24 korrik policia e Maqedonisë së Veriut e arrestoi Morinën në pikë kalimin kufitar Bllacë. Arrestimi u bë pasi që me kërkesë të Serbisë, INTERPOL-i kishte lëshuar fletë arrest për ish-ushtarib e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Serbia e akuzon Morinën për krime ndaj civilëve në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë.