U mbajt konferenca “Kënga folklorike – vlerë e trashëgimisë kulturore”

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup u mbajt konferenca shkencore me temën boshte “Kënga folklorike – vlerë e trashëgimisë kulturore” në kuadër të aktivitetit të përvitshëm “Java e Trashëgimisë Kulturore”. Në këtë konferencë morën pjesë studiues nga hapësira të ndryshme gjeografike shqiptare dhe studiues nga ITSHKSH, Universiteti i Tetovës dhe institucione të tjera të rëndësishme.
Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Skënder Asani, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se “Qëllimi i kësaj konference është ruajtja, mbrojtja, kultivimi, por edhe promovimi dhe afirmimi i vlerave muzikore, sidomos folklorit shqiptar në kohën kur përballet me armikun më të madh për asimilim, që është globalizimi, e jo shtetet fqinje”. Asani u shpreh se në kuadër të Departamentit të Folklorit dhe Etnologjisë do të ketë prurje të reja nga fusha e etnomuzikologjisë, të cilët do të mund të mbledhin materialin folklorik në krahina të ndryshme dhe i cili më pas do të interpretohet dhe analizohet nga studiuesit e fushës.
Pas fjalëve të drejtorit filloi sesioni shkencor, të cilën e drejtoi Sefer Tahiri, i cili është njëkohësisht edhe koordinator i kësaj konference shkencore.
Studiuesja nga Universiteti i Tetovës, Besiana Mehmeti, në punimin e saj analizoi këngët autentike të cilët në një farë mënyre arkivojnë të kaluarën historike të popullit shqiptar në përgjithësi por dhe rajoneve të caktuara në veçanti. Ajo u fokusua edhe tek kontributi e heronjëve historik për të cilët jehon kënga. Pasoi Ragip Gjoshi nga Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, i cili nëpërmjet të punimit të tij pasqyroi këngët historike si dhe këngëtarët të cilët e përçuan këtë porosi nga të parët për ndërgjegjësimin e popullit shqiptar nëpërmjet kushtrimit të këngëve. Etnologu nga ITSHKSH, Rini Useini përshkroi disa këngë, të cilët e veçojnë individin apo familjen dhe statusine e saj ekonomik gjatë ceremonialit të dasmës, nëpërmjet këngëve të dasmës, të cilët përmbajnë ironi, sarkazëm apo metafora, por dhe hiperbollizime. Më pas Krenar Doli nga Instituti Albanologjik i Prishtinës foli për disa këngë rituale në trevën e Gjakovës. Jesir Hoxha nga Shkolla e Mesme e Mjekësisë nëpërmjet qasjes analitike dhe teorike i përshkroi këngët e rajonit të Dërvenit, kurse Bekim Ramadani nga Universiteti i Tetovës, i vuri në dukje këngët, të cilët pasqyrojnë veprimtarinë e SHKA Xheladin Zeqiri nga Tetova. Shkëlzen Baftjari, profesor i pianos u paraqit me temën ”Folklori në veprat pianistike të kompozitorëve shqiptarë’’, punim i përgatitur në bashkëpunim me Besiana Mehmedin. Agona Çupi, poashtu nga Universiteti i Tetovës u paraqit me temën ”Ndikimi i muzikës folklorike në veprat korale të Lorenc Antonit”. Arijana Kuriu Grubi prezantoi punimin me temë “Muzika shkodrane në fund të shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX”. Ndërsa Besnik Rahmeti nga ITSHKSH me temën “Analiza e këngëve popullore dhe lirike në veprat dhe hulumtimet e Dr.Ibrahim Krosit”.
Në fund Ardian Ramadani nga ITSHKSH bëri një krahasim ndërmjet folklorit francez dhe shqiptar me temën “Këngët dhe vallet e rajonit të Bretanjës në Francë dhe krahasimi i tyre me këngët shqipe”.
Punimet e prezantuara shkencore do të botohen në numrin e rradhës të revistës shkencore “SCUPI”.

Marketing

Marketing