U realizua me sukses konferenca shkencore “Gjuha dhe shkolla shqipe në Maqedoninë e Veriut”

Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u realizua konferenca shkencore me titull “Gjuha dhe shkolla shqipe në Maqedoninë e Veriut”, që kishte për synim të bëjë një skanim të gjendjes gjuhësore të shqipes standarde në shkollën shqipe në vendin tonë dhe të ndihmojë  në ngritjen e nivelit të përdorimit të saj.

Marketing

Konferencën e hapi drejtori i ITSHKSH-së, Dr. Skender Asani, i cili vuri në pah rëndësinë që ka kjo konferencë jo vetëm për gjuhën standarde shqipe, por në përgjithësi për shkollën shqipe në vendin tonë.

Fjalë përshëndetëse patën edhe drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Dr. Ylber Sela, dekani i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Tetovës, Dr. Berton Sulejmani, dhe shefi i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup, Dr. Ismet Osmani.

Pas kësaj vijoi leximi i kumtesave, ndër të cilat ishin edhe veteranët e arsimit dhe pedagogët e njohur, prof. Avzi Mustafa dhe prof. Xhemaludin Idrizi. Në këtë konferencë morën pjesë studiues të Universitetit të Tetovës, të Universitetit të Europës Juglindore, të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup, si dhe nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Konstatimi i përgjithshëm i konferencës ishte se niveli i përdorimit të gjuhë standarde në shkollë nuk është në nivel të kënaqshëm dhe kjo na imponon një mobilizim më të madh të më shumë strukturave shoqërore, siç janë familja shqiptare, shkolla, institucionet botuese të librave shkollorë, por edhe institucionet e arsimit të lartë që përgatisin kuadro për mësimdhënien e gjuhës shqipe në shkollat tona.