U shënua 100-vjetori i Xhemijetit

Sot, në Shkup, me një sërë aktivitetesh, të organizuara nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe SHB “Logos-A”, u shënua 100-vjetori i themelimit të organizatës politike Xhemijeti, në të cilën për kryetar u zgjodh Nexhib Draga.
Kështu, në orën 11.00 në hyrje të kapan Hanit u shpalos një pllakë përkujtimore në shenjë përkujtimi të vendit ku është mbajtur kuvendi themelues i Xhemiejtit në Shkup. Shpalosjen e pllakës e bënë drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, Dr. Jasmina Curiq nga Këshilli Nacional i Boshnjakëve në Novi Pazar, znj. Ilfete Nakiçeviq, një pasardhës e familjes Draga, zv. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Sadik Beqiri, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe shefi i kabnietit të ministrit të Kulturës, Faton Fazliu.
Aty fjalë rasti pati drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, i cili theksoi rëndësinë historike të kësaj organizate politike, me të cilën lidhet mbijetesa e shqiptarëve dhe myslimanëve në periudhën e egër ndërmjet dy luftërave botërore.
Më pas, në orën 12.00, në Sallën e Ekspozitave të ITSHKSH-së, u shpall e hapur ekspozita “Xhamitë dhe teqetë në Shkup dhe rrethinë, në periudhën në mes dy luftërave botërore” (dokumente, fotografi dhe dëshmi), me autorët Skender Asani dhe Nora Maliqi. Hapjen e ekspozitës e bëri z. Faton Fazliu, shef i kabinetit të ministrit të Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Pastaj, me fillim në orën 12.30, në sallën “Udro Uillson” të Institutit vazhdoi sesioni shkencor dhe promovues, ku fjalë përshëndetëse pati edhe kryetarja e Këshillit Kombëtar Boshnjak me seli në Pazarin e Ri, dr. Jasmina Curić.
Me këtë rast, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Logos-A” nga Shkupi, u promovuan botimet e fundit që i kushtohen veprimtarëve të Xhemijetit, përkatësisht librat e autorëve Jusuf Osmani, Ismet Azizi e Skender Asani. Lidhur me këtë me shumë interes, referuan studiuesit: Nexhmedin Spahiu, Qerim Lita, Nuridin Ahmeti e Mehmet Prshtina.

Marketing
Marketing