UEJL do të pranojë 1100 studentë në studimet deridiplomike

Universiteti i Europës Juglindore në Tetovë përmes aktivitetit të ditës së hapur përpara maturantëve të shkollave të ndryshme nga disa qytete të Maqedonisë së Veriut, por edhe nga rajoni, ka prezantuar ofertën akademike për vitin akademik 2019/2020, stafin e profesorëve, kushtet studimore dhe infrastrukturën e Universitetit, ku maturantët kanë pasur mundësi që të njihen me programet studimore si dhe me tërë infrastrukturën përcjellëse që e posedon universiteti për studime të standardizuara.

Marketing

Rektori Abdylmenaf Bexheti ka shpalosur edhe risitë për këtë vit akademik që janë disa programe të reja studimore në fakultetin ekonomisë dhe biznesit si dhe disa fakultete të tjera dhe theksoi se për këtë vit akademik Universiteti i Europës Juglindore planifikon që të pranojë rreth 1100 studentë në studimet deridiplomike, pasdiplomike dhe ato të doktoraturës.

“Sigurisht se edhe sivjet kemi risi, që janë tre programe studimore, si risi e veçantë, dhe atë njëri është në fakultetin e biznesit dhe ekonomisë, me drejtim financa dhe bankë, pra me specifikim në banka. Është programi i dytë në të njëjtin fakultet, i ndërmarrësis, që në njëfarë mënyre është në bashkëpunim edhe me kompanitë, apo sistem i integruar, dual i mësimdhënies që do jetë teorik por edhe praktik, pra 70 për qind praktikë, 30 për qind teori, dhe njëkohësisht ky është program që do ketë komponente komplet në gjuhën angleze, dhe i financuar tërësisht nga kompani që garanton edhe perspektivën edhe punësim në të. Veç kësaj kem edhe program në fakultetin juridik, të ashtu quajtur informatika juridike”, tha Bexheti.

Edhe maturantët që kishin ardhur enkas për t’u njohur më për së afërmi me ofertën akademike dhe kushtet e Universiteti te Europës Juglindore thanë se përshtypjet e tyre për këtë Universitet janë të mira dhe se në të ardhmen do të shqyrtojnë mundësinë për të studiuar pikërisht në Universitetin e Europës Juglindore. Dita e Hapur është një aktivitet që tanimë është shndërruar në traditë në Universitetet tona ku për çdo vit Universitetet shpalosin ofertat akademike për nxënësit të cilët më për së afërmi njihen me Universitetin dhe më pas e kanë më të lehtë të vendosin se çfarë dhe ku të studiojnë.