Ulet numri i të prekurve nga fruthi

Shënon rënie numri i të prekurve nga fruthi. Brenda javës së shkuar janë regjistruar 70 raste të reja në të gjitha Qendrat për Shëndet Publik në Maqedoni që është numër më i ulët për 30% krahasuar me periudhën e kaluar nga fillimi i epidemisë.

Marketing

Në kryeqytet janë regjistruar vetëm 11 raste, që është rënie e dukshme krahasuar me periudhën e kaluar, ndërkaq në 8 qytete të tjera të vendit ka vazhdimisht raste të reja. Tetova, Struga dhe Kumanova kryesojnë për nga numri i të infektuarve, ndërsa krahas tyre raste të reja po regjistrohen edhe në Veles, Gostivar, Vallandovë dhe Shtip.

“Gjatë kësaj jave, numri më i lartë i rasteve janë të moshës mbi 30 vjeçe. Ndërsa sipas statusit vaksinal 55 nga rastet e regjistruar apo 78,6% janë të pa vaksinuar, të vaksinuar vetëm me një dozë apo me status të panjohur vaksinal”, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Nga rreth 15,000 persona të moshës deri 14 vjeç të cilët ishin të pa vaksinuar, në Shkup kanë mbetur vetëm 1300 të cilët nuk janë imunizuar kundër fruthit. Shqetësuese mbetet numri i personave të pa vaksinuar jashtë kryeqytetit. Megjithatë, epidemiologët parashikojnë që epidemia të zgjasë edhe më tej.

Që nga fillimi i epidemisë në dhjetor të vitit të shkuar, numri i përgjithshëm i të regjistruarve me fruth ka arritur në rreth 2000 raste, ndërkaq në gjithë territorin janë vaksinuar rreth 30,000 persona.

Marketing