Ulet numri i viktimave në Itali, shtohen rastet e reja me KOVID-19

Situata e krijuar nga koronavirusi në Itali po shkon drejt përmirësimit, ndërsa disa nga masat kufizuese janë ende në fuqi.

Marketing

Mësohet se në 24 orët e fundit në Itali kanë humbur jetën 5 persona, duke e çuar numrin e viktimave në total në 35.102.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë italiane, sot u regjistruan edhe 274 raste të reja pozitivë, ndërsa numri në total i të infektuarve ka shkuar në 245.864. Po ashtu, autoritetet kanë njoftuar se janë shëruar edhe 128 pacientë.

Në Rajonin e Lombardisë, një nga më të prekurit nga pandemia, nuk janë regjistruar viktima në 24 orët e fundit.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Itali ka botuar raportin e monitorimit javor të emergjencës COVID, sipas të cilit mosha mesatare e rasteve të infeksionit në Itali është ulur në 40 vjeç.

Instituti i Lartë i Shëndetit ka raportuar se pothuajse në të gjithë Italinë ka disa shpërthime të përmasave të ndryshme dhe shumë prej tyre janë shkaktuar nga njerëz që kanë ardhur në Itali nga vende me incidencë të lartë.

Ulja në 40 vjeç e moshës mesatare të të infektuarve i detyrohet pjesërisht edhe faktit se gjithnjë e më pak të moshuar po identifikohen me COVID dhe i detyrohet përgjithësisht faktit tjetër, se rastet e reja janë në rradhët e asimptomatikëve dhe moshave të reja.

Në raportin javor COVID në Itali thuhet gjithashtu se ulja e moshës mesatare të të prekurve mbart një rrezik më të ulët kërcënues për shërbimet spitalore.

Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza tha sot se; “Ne duhet ta mbrojmë vendin tonë brenda një konteksti ndërkombëtar që po keqësohet nga pandemia e COVID. Ne jetojmë në një planet dhe kjo betejë fitohet me vendosmëri dhe solidaritet”.

Marketing