Umit Karan rikthehet në krye të skuadrës së Shkupit. Karan sot e ka marrë drejtimin e FC Shkupit, pas largimit të trajnerit Muharrem Bajrami.

Trajneri i FC Shkupit, Umit Karan nga sot ka filluar përgatitjet me ekipin për sfidën e radhës që do të zhvillohet në fundjavë.

Në zyrat e klubit Karan me ndihmësit e tij, Armend Nexhipi, Volkan Sayilgin dhe Ahmet Ozen kanë marrë besimin e kryesisë për të udhëhequr me klubin deri në fund të sezonit, me mundësi që bashkëpunimi të vazhdojë edhe më tej.

“Fillimisht dua të falënderoj të gjithë, në jetën time kam dy ekipe më të dashura, njëra është Galatasaray dhe tjetra Shkupi. Jam shumë i lumtur që përsëri jam në Shkup dhe do e vazhdoj punën për të cilën mendoj se e kishim lënë në gjysmë, pra erdha këtu për ta kryer punën deri në fund. E falënderoj pronarin e klubit Olgun Aydin, po ashtu edhe drejtorin sportiv dhe kryetarin e klubit Suat Alija që më dhanë mundësi të jem përsëri këtu. E nesërmja në futboll asnjëherë nuk është e garantuar. Ish-trajneri i klubit Muharrem Bajrami është një mik i imi, me të cilin kemi pasur në të kaluarën bashkëpunim fantastik, ai si kapiten i ekipit dhe unë si trajner, por në futboll ndodhin edhe gjëra të paparashikueshme. E falënderoj për kontributin e dhënë deri më tani, ndërsa ne shpresojmë që me ekipin që posedojmë të bëjmë gjëra të mëdha dhe të arrijmë të dalin kampion në fund të sezonit. Siç e kam cekur, kemi një ekip cilësor, me të cilin duhet punuar shumë për të arritur objektivat. Na priftë e mbara”, ka thënë Umit Karan.

Skuadra e Shkupit vazhdon garat në kampionat duke qenë në pozitën e dytë në renditje të tabelës, ndërsa ndeshja e radhës është ajo kundër Borecit nga Velesi, që luhet të shtunën në stadiumin e Çairit./FC Shkupi