Uniforma të reja të dimrit dhe të verës për Policinë pyjore

Pas 12 viteve Policia pyjore bëhet me uniforma dhe çizme të reja, u nënshkrua Marrëveshja Kolektive me të cilën rregullohen statusi, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e të punësuarve në Policinë pyjore dhe për herë të parë rregullohet e drejta për të fituar shtesë prej 30 për qind. Këto janë gjëra të cilat me vite ishin vetëm në letër dhe promovoheshin në mënyrë deklarative, por tani po bëhen realitet, theksuan sot zëvendëskryeministri për Luftë Kundër Korrupsionit dhe Krimit, Lupço Nikollovski dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha.

Marketing

Nikollovski dhe Hoxha në konferencën për shtyp në MBPEU me rastin e furnizimit të uniformave të reja verore dhe dimërore për Policinë pyjore porositën se në mënyrë intensive është duke u punuar në përforcimin e këtij sektori i cili është me rëndësi të jashtëzakonshme për kontrollet me prerjen ilegale dhe për ruajtjen e resurseve natyrore.

Policia pyjore do t’i marrë nga dy komplete të uniformës dimërore dhe verore. Vlera e furnizimit është 10 milionë denarë ndërsa mjetet janë siguruar nga Buxheti i MBPEU.

Ditëve të ardhshme uniformat do t’u dorëzohen të gjitha stacioneve policore-pyjore në vend.

“Personalisht më vjen shumë mirë që realizohen procese të cilat i kam filluar si ministër i Bujqësisë dhe të cilat deri më tani, në vazhdimësi dhe pa ndërprerje zbatohen. Këto aktivitete ndikojnë në rritjen e motivimit të policëve pyjorë, si edhe pozitën e tyre, me çka do të kontribuohet edhe në luftën kundër prerjes së paligjshme dhe mbrojtjes së pyjeve tona”, theksoi Nikollovski.

Sipas tij, Policia pyjore ka rol të rëndësishëm në shkatërrimin e krimit të organizuar, gjegjësisht grupet e organizuara të vjedhësve të drunjve të cilët po i shkretojnë pyjet e vendit. Prandaj është i rëndësishëm ekipimi i kuadrit dhe përmirësimi i kushteve të punës.

Ai përkujtoi se së bashku me institucionet kompetente në mesin e së cilave Ministria e Punëve të Brendshme dhe Byroja për Siguri Publike, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Policia pyjore dhe NP “Pyjet nacionale” është formuar Trup koordinativ për përgatitjen dhe zbatimin e aktiviteteve dhe masave për ballafaqimin me prerjen ilegale dhe të pakontrolluar të drunjve, si edhe për parandalimin e krimit dhe korrupsionit në pylltari.

“Përmes kontrolleve të përforcuara dhe intensive në terren, digjitalizimit të të gjithë procesit të mbikëqyrjes, dhënies së dokumenteve, ndjekjes së masës drurore dhe transportit, do ta zvogëlojmë rrezikun nga krimi dhe korrupsioni dhe do ta mbrojmë pasurinë tonë nacionale-pyjet”, tha Nikollvoski.

Ministri Hoxha para ndarjes së uniformave, tha se janë përpunuar në pajtim me standardet evropiane. Ai njëherësh përkujtoi se në nëntor të vitit të kaluar për Policinë pyjore janë furnizuar çizme të reja, diçka që njëjtë realizohej për herë të parë pas 12 vitesh. Para ca kohësh, shtoi, u nënshkrua Marrëveshja kolektive me të cilën paga e policëve pyjorë u rrit për 30 për qind.

“Ne vetëm jemi duke e zbatuar obligimin tonë ligjor i cili nënkupton që të sigurohen të gjitha kushtet për siguri dhe shëndet gjatë punës së të punësuarve tanë. Policia pyjore detyrat e veta të punës i kryen në terren, ndërsa një prej masave të mbrojtjes nga rreziku në vendin e punës është të kenë pajisje përkatëse personale – mbathje dhe uniformë”, theksoi Hoxha, duke shtuar se i vjen shumë mirë që është pikërisht sot, në Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit dhe Sigurisë në Punë.

Në Policinë pyjore janë rreth 385 të punësuar, por ekziston nevoja e kuadrit shtesë. Këtë ose vitin tjetër janë të mundshme punësime të reja.