Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” organizuan konferencë shkencore ndërkombëtare(Foto)

Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, më 10. 6. 2019, u mbajt Konferenca shkencore
ndërkombëtare, me temë: "Zhvillimi i letërsisë shqipe në vitet 1945 – 1990". Bashkorganizator i kësaj
konference ishte edhe Universiteti i Tetovës, përkatësisht Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Dekani i Fakultetit Filologjik i UT-së, Prof. Dr. Berton Sulejmani, në hapjen solemne të punimeve të
kësaj konference tha se tubimet dhe bashkëtakimet e këtilla në frontin e gjurmimit të bashkëpunimit
brenda -kulturor shqiptar kanë një rëndësi të dorës së parë, sepse i bashkojnë forcat dhe arritjet e
rezultateve tona shkencore në fushën e filologjisë. “Është meritë dhe detyrim i përbashkët që të ndërtojmë
ura jo vetëm në frontin e shkencave, në këtë mes filologjik, por kujtoj që këto iniciativa duhet të na
shërbejnë që t’i diskutojmë edhe mundësitë e rritjes së shkëmbimit të profesorëve dhe studentëve tanë“, u
shpreh Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Dekani i UT-së më tej theksoi se, si gjuhëtar, më duhet t’ju them se në gjuhësinë shqiptare në përgjithësi,
në dialektologjinë shqiptare në veçanti janë arritur rezultate të lakmueshme. “Janë bërë studime për të
gjitha të folmet në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Preshevë e Bujanoc, si dhe për të folmet e diasporës
shqipe. Pas Luftës së Dytë Botërore për të folmet shqipe të trevave shqiptare në Maqedoni (sot
Maqedonia e Veriut) janë shkruar mbi 40 skica e monografi dialektore të cilat sot e kësaj dite nuk janë
përfshirë në kuadrin e dialektologjisë shqiptare. Pse po ndodh një gjë e tillë? Një iniciativë e tillë do të
duhej që në këtë kohë të ishte punë e kryer. Nuk them se duhet përfshirë gjithçka që është botuar dhe po
botohet, por është koha që të diskutohet për nivelin shkencor të këtyre studimeve dhe studimeve tjera
albanologjike dhe nevojën e rishikimit, pse jo edhe të rishkrimit të tyre nga komisione të përbashkëta”-
deklaroi dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Këtë tubim shkencor e përshëndeti edhe zv/rektorit i "Aleksandër Moisiu",Prof. Dr. Lekë Sokoli, i cili
foli mbi rëndësinë, kushtet e zhvillimit të letërsisë së kësaj periudhe, duke përmendur faktin se letërsia ka
rëndësi të veçantë edhe për disiplinat e tjera shkencore.
Nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, me kumtesa shkencore morën pjesë: Prof. Dr. Fatmir
Sulejmani, Prof. Dr. Izmit Durmishi, Prof. Dr. Berton Sulejmani, Prof. Dr. Zarije Nuredini, Mr. Sc.
Vjollcë Berisha, Dr. Sc. Esmije Vejseli dhe Doc. Dr. Arlind Farizi.

Marketing

Marketing