Urim për Natën e Beratit

Të dashur besimtarë,

Marketing

Sonte, 07 prill 2020, është nata e gjysmës së Muajit Sh’aban e cila njihet si Nata e Beratit që nënkupton natën e faljes së mëkateve, pastërtisë, shpëtimit dhe e mëshirës. Me këtë rast, në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përgëzoj të gjithë besimtarët dhe uroj që këtë natë ta kalojnë me ibadet, me përkushtim, me lutje në emër të Allahut xh. sh.

Në situatën në të cilën gjendemi, në përpjekjet tona për të parandaluar, Koronavirusin, duke respektuar masat e caktuara nga institucionet kompetente të vendit tonë, për këtë shkak përkohësisht nuk mund ti shfrytzojmë në xhamitë tona, na jepet rasti dhe mundësia që këtë natë ta kalojmë në gjirin familjar duke e shfrytëzuar atë për të rizgjuar ndjenjat tona shpirtërore dhe për t’u pastruar nga gjynahet, mëkatet dhe gabimet.

Po ashtu, kjo natë mbanë edhe emrin “Nata e Mëshirës”, meqë njerëzit këtë natë, nga mirësia dhe mëshira e madhe e Allahut (xh. sh.) përfitojnë shumë më shumë se netët tjera. Rreth vlerës dhe begatisë së natës së Beratit po i referohemi haditheve të Muhamed Mustafas s.a.v.s., e në mesin e hadithve edhe thënia e tij: “Kalojeni natën e gjysmës së muajit Shaban me namaz, kurse ditën, me agjërim”! Këtë natë, pas perëndimit të diellit, Allahu i Lartëmadhërishëm zbret në qiellin e tokës dhe na fton duke thënë: “A ka ndonjë që kërkon falje, ta falë, a ka ndonjë që kërkon furnizim, t’i jap, a ka ndonjë që është goditur me sëmundje e që kërkon shërim, ta shëroj?”, Kështu vazhdon deri në mëngjes.” (Ibn Maxhe, Ikame fi’s-salat, 191) Në një hadith të cilin e transmeton Aisheja r.anha, Pejgamberi a.s. na mëson: “Natën e gjysmës së muajit Sha’ban, Allahu xh.sh. falë prej mëkateve më shumë se sa qimet e deleve të fisit Kelb”. Duke dëshiruar që sa më shumë të përfitojmë nga kjo natë e bekuar, lus Allahun e Plotëfuqishëm që ti pranojë ibatet tona dhe t’na mbrojë nga murtaja COVID 19, e cila ka kapluar rruzullin toksor.

Amin!

Ves-selamu alejkum ve rahmetullah.

Reis-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi,

Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Marketing