USHQIMI I TEPËRT. Një ligj që do të “ushqente” të varfrit

Maqedonia pritet që përfundimisht deri në muajin shtator të fitojë ligj që do të zgjidh problemin me tepricën e ushqimit që shpesh hidhet. Organizatat e ndryshme joqeveritare vite me radhë kërkojnë që në aspekt ligjor të zgjidhet kjo çështje, që prek më shumë palë në zinxhirin e prodhimit, përgatitjes dhe shitjes së ushqimit siç janë dyqanet, furnizuesit prodhuesit , restorantet si dhe amvisëritë, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Me ndryshimin e legjislacionit do të mundësohet që nga kjo tepricë e ushqimit së paku 13 mijë njerëz të fitojnë tre shujta në ditë. Në favor të miratimit të një ligji të tillë flasin edhe faktet se në Maqedoni bile 445 mijë qytetarë, nuk kanë mundësi të sigurojnë më shumë se një shujtë të ditë si rrjedhojë e varfërisë.

LIRIMIN I BIZNESEVE NGA TVSH PËR USHQIMIN E DHURUAR

Në funksion të përgatitjes së Ligjin për dhurimin e tepricës së ushqimit, Qeveria ka angazhuar Ministrinë e Bujqësisë që së bashku me Agjencinë për ushqim dhe veterinari në një afat prej gjashtë muajsh të dalin me një draft version. Nga organizata “Ajde Maqedoni” thonë se dëmi që shkaktohet nga hedhja e ushqimit shkon në dhjetë milionë euro.

“Shifrat janë shumë serioze dhe është e pritshme që arrijnë edhe deri në 10 mijë tonë ushqime në vit, që si sasi mund të ndihmojë mjaft për kategoritë e prekshme sociale të qytetarëve . Andaj nisma jonë përkrah ndryshimet ligjore që parashikojnë lirimin e bizneseve nga TVSH për ushqimin e dhuruar, procedura më të thjeshta dhe të shpejta për bizneset që nuk do të ngarkohen me burokracia e tepërt e kështu me radhë. E gjithë kjo me qëllim që kompanitë të mos demotivohen të shpërndajnë ushqimin për nevojtarët” , thonë nga “Ajde Maqedoni”.

Nga organizata “Ajde Maqedoni” thonë se dëmi që shkaktohet nga hedhja e ushqimit shkon në dhjetë milion euro.

ÇKA THONË PËRVOJAT EVROPIANE?

“Në Francë, ku ekziston një mekanizëm ligjor që rregullon këtë çështje, dyqanet mund të nënshkruajnë marrëveshje me ndonjë organizatë humanitare, nëse dëshirojnë, të lirohen nga teprica e ushqimit. Njëherazi të njëjtën nuk mund ta dërgojnë nëpër deponi. Kompanive në Francë më shumë ju shpaguhet të dhurojnë ushqimin , në vend se ta hedhin, për shkak se për këtë pasojnë edhe dënime”, thotë për KOHA, Bllazhe Josifovski nga “Ajde Maqedoni”.

Sipas tij, edhe përvojat italiane janë edhe më pozitive për shkak se sigurojnë subvencione, apo parashikohen edhe kompensime për organizatat joqeveritare që merren me këtë çështje.

Njëherazi edhe në programin për zgjedhjet e fundit parlamentare , nga LSDM kanë premtuar se në afat prej gjashtë muajsh do të miratojnë ligjin, të bazuar në përvojat e Francës , që do të mundësojë dhurimin e ushqimit nga ana e supermarketeve, restoranteve, prodhuesve dhe distributorëve.

Nga ana tjetër, njohësit e kësaj problematike thonë se miratimi i një Ligji të tillë, është mjaft i ndërlikuar për shkak se përputhen ingerencat e më shumë organeve dhe ministrive duke filluar nga Ligji për siguri të ushqimit që është nën kompetencën e Ministrisë së bujqësisë, Ligjit për donacione që është nën kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë, lirimit nga tatimet që është nën kompetencën e Ministrisë së Financave, Ministrisë së punës dhe çështjeve sociale…

Çështjet që duhet të zgjidhen në praktikë në aspektin ligjor janë procedurat se si do të veprohet me ushqim që ka afat të skaduar , por që megjithatë mund të konsumohet , si të veprohet me ushqimin që i afrohet afati i skadimit dhe mbetet i pa shitur, plotësimin e listës së ushqimeve që mund të dhurohen edhe pas skadimit të afatit, mbrojtjen e OJQ-ve nga ndjekja penale gjatë keqpërdorimeve apo fatkeqësive eventuale por vetëm në rast se në tërësi i respektojnë rregullat për ushqim të sigurt. Njëherazi përvojat e jashtme tregojnë se i tërë procesi i donacionit të ushqimit kërkon edhe një rrjet të fuqishëm dhe mirë të organizuar,logjistikë të fuqishme, kushte për magazinimin e ushqimit, transport e kështu me radhë, raporton KOHA.

Në Francë para disa vitesh u aprovua një ligj, që e konsideron të paligjshme hedhjen e ushqimeve nga supermarketet. Duke filluar nga korriku i vitit 2016, supermarketet në Francë nuk lejohen të hedhin ushqimet para datës së skadimit , por duhet t’ua dhurojnë të varfërve. Në Francë, supermarketet mund të gjobiten mbi 75 mijë euro nëse nuk firmosin një kontratë me qendrat e bamirësisë për të dhuruar ushqimin. Në Itali, gjithashtu ka kaluar një ligj, që rregullon shpërdorimin e ushqimit. Në muajin gusht të vitit 2016, Parlamenti italian miratoi një pako ligjesh që heqë pengesat për fermerët dhe detyron supermarketet që të dhurojnë për familjet në nevojë produktet e tyre. Qëllimi është parandalimi i humbjes së rreth 5 milionë ton ushqime, që shkojnë dëm çdo vit. Autoritetet italiane kanë ngritur shqetësimin se kjo humbje i kushton biznesit dhe familjeve më shumë se 12 miliardë euro në vit. Ligjet e reja kanë si synim krijimin e lehtësirave sa i përket dhurimit të ushqimit, duke i lejuar bizneseve që të dhurojnë në formë të thjeshtë për çdo muaj.

Për këtë, qeveria italiane ka hequr sanksionet për ushqimet që u kishte kaluar data e shitjes, ndërsa pronarët e bizneseve, sa më shumë ushqime dhurojnë aq më pak taksa do të paguajnë për ushqimin e shkuar dëm. Fermerët gjithashtu do të dhurojnë produktet e pa shitura për bamirësi, pa paguar ekstra. Sipas organizatës së OKB për ushqimin dhe agrikulturën, vetëm në Evropë përllogaritet që rreth 40 për qind e ushqimit shkon dëm. Sipas tyre, kjo sasi do të ushqente rreth 200 milionë njerëz. (koha.mk)