Vajgl: Nëse vendosen bllokada shteti do të humb, PSP duhet ta vazhdojë punën

Eurodeputeti slloven në ikje dhe raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgl, në një intervistë për MIA-n ka foluar për sukseset e Maqedonisë, Marrëveshjen e Prespës, PSP-në, si dhe zgjedhjet presidenciale dhe rrezikun nga bojkoti.

Marketing

Vajgl thotë se Maqedonia është një nga tregimet e suksesshme dhe sipas tij, e ardhmja do të vërtetojë vendimet që janë marrë në të kaluarën. “Kuptohet se i di mirë problemet e Maqedonisë, se nuk është gjithçka perfekte, se afrohet zgjedhjet presidenciale dhe e di se ka akoma dyshime rreth Marrëveshjes së Prespës, ka parti dhe njerëz që mendojnë se Maqedonia nuk është dashur të bëjë lëshime të tilla për të siguruar rrugën e saj për në BE dhe NATO. Por këto janë hipoteza. Unë jam i bindur se ajo që u bë është e arsyetuar dhe se e ardhmja këtë do ta konfirmojë. Nuk ka dyshime se BE është qëllimi që Maqedonia duhet ta realizojë për të ardhme më të mirë dhe më të sigurt”, thotë Vajgl.

I pyetur për zgjedhjet presidenciale, organizimin dhe bojkotin eventual të tyre, Vajgl tha se praktika e pengesave dhe bllokimeve që e kanë aplikuar disa herë politikanët në vend, asnjëherë nuk i ka sjellur mirë Maqedonisë.

“Sido që të jetë rezultati i zgjedhjeve, është e dëmshme nëse nuk ka qëndrim të përbashkët nga udhëheqësit. Pengesat që i ka bërë presidenti Ivanov tani nuk janë në të mirë të Maqedonisë. Mendoj se në një shoqëri demokratike ka mënyra tjera për të luftuar për atë që beson. Duhet të kihet parasyshë se nëse vendoset ndonjë bllokadë ose ka krizë, shteti është ai që do të humb”, thotë Vajgl.

Ndërsa sa i përket punës së Prokurorisë Speciale, ai tha se duhet t’i jepet hapësirë që ta bëjë punën e saj dhe të gjithë të interesohen që të ketë kushte normale për të.

“Duhet të lejohet që keqpërdorimet që janë bërë në të kaluarën të sanksionohen. Kjo nuk duhet të shikohet si hakmarrje, por tejkalim dhe pranim i shtetit të së drejtës dhe sundimit të së drejtës, si mënyrë e vetme e sundimit në kushte demokratike”, theksoi eurodeputeti.

Marketing