Në mungesë të një vaksine të posaçme kundër Covid-19, shkencëtarët britanikë po studiojnë mundësitë që të shfrytëzojnë vaksinën e trefishtë që lufton fruthin, shytat dhe rubeolën për ta imunizuar Covid-19.

Siç bëjnë të ditur mediet britanike, shkencëtarët u referohen disa rasteve ku shumë persona të cilëve u është injektuar kjo vaksinë që kur ishin fëmijë, kanë shfaqur shumë më pak simptoma nga infektimi me Covid-19, kur krahasohen me të pa vaksinuarit.

Në fillim të qershorit, mbi 1 100 marinarë në bord rezultuan pozitivë ndaj testeve të Covid-19. Përveç njërit prej tyre që shfaqi komplikacione dhe ndërroi jetë pas shtrimit në spital, të gjithë të tjerët e kaluan infektimin me simptoma të lehta.

Ata që shfaqën simptoma të lehta e kishin kryer vaksinën e trefishtë rreth të 20-ave. Për këtë arsye, në Britaninë e Madhe po shqyrtohet mundësia e nisjes së testeve të kësaj vaksine tek njerëzit, me synimin për të rritur imunitetin mbrojtës ndaj Covid-19.