Vallëzimi i fundit i Antoine Griezmann

Atletico Madridi u mposht 2:1 nga Beitar Jerusalem në një ndeshje miqësore të martën. Ky takim i shërbeu Antoine Griezmannit ta shënojë golin e tij të fundit në karrierë për gjigantin spanjoll.

Dy gola nga Maor Buzaglo i dhanë fitoren klubit izraelit në ndeshjen e lamtumirës së Yossi Benayoun, pasi ish-ylli i Liverpoolit dhe Chelseat do t’i varë këpucët në gozhdë në moshën 39-vjeçare, transmeton Gazeta Express.
Vitolo ishte lojtari më i mirë në këtë ndeshje për skuadrën e Diego Simeones, e cila me gjithë rastet e shumta nuk mundi ta gjejë golin e barazimit.

Tre minuta pasi u fut në lojë si zëvendësues, Griezmann e shënoi për Atleticon nga penalltia, derisa Diego Costa pësoi lëndimin e tetë të sezonit.

Sulmuesi francez njoftoi para një jave zyrtarisht se do të largohet nga klubi, prandaj vallëzimi i sotëm ishte i fundit i tij në fanellën e Atletico.

Ndërkohë, as Diego Godin, Juanfran apo Filipe Luis nuk u futen në lojë nga Simeone, edhe pse edhe për ta ky ka qenë takimi i fundit për Atleticon.