Valverde: Messi është mirë

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, i ka qetësuar tifozët e klubit katalonas, duke zbuluar se ylli argjentinas, Lionel Messi, është mirë, përkundër që gjatë ndeshjes së mbrëmshme dukej se ishte i lënduar.

Marketing

Mbrëmë, Barcelona e fitoi ndeshjen e dytë brenda katër ditësh kundër Real Madridit, në stadiumin Santiago Bernabeu. Këtë herë, skuadra e Ernesto Valverdes siguroi fitore me rezultat 1:0, në kuadër të La Ligës.

Golin e fitores për Barcelonën e shënoi mesfushori kroat, Ivan Raktici, i cili e mposhti portierin Thibaut Courtois në minutën e 26-të të ndeshjes.

Tifozët e Barcelonës u frikësuan pasi që Messi dukej se e pësoi një lëndim në pjesën e dytë të ndeshjes. Një lëndim i argjentinasit do t’i ulte shpresat e Barcelonës për ta fituar tripletën këtë sezon.

“Messi është mirë. Ai e pati një ndeshje të mrekullueshme dhe tentoi jashtëzakonisht shumë. Ai është jashtëtokësor në njëfarë mënyrë sepse sa herë që e merr topin, diçka e jashtëzakonshme ndodh”, ka thënë Valverde.

Tri pikët e fituara nga kjo ndeshje bëjnë që Barcelona ta përforcojë pozitën e parë në tabelën e La Ligës, plot 12 pikë para “Los Blancos” e dhjetë pikë para Atletico Madridit.