Varheji: Shkupi të angazhohet për dialog me Sofjen për tejkalimin e kontesteve

Eurokomisari për Zgjerim, Oliver Varheji në konferencë për shtyp deklaroi se i ka porositur funksionarët e qeverisë së Maqedonisë së Veriut se ata duhet të angazhohen për dialog të drejtpërdrejtë me Bullgarinë në mënyrë që t’i tejkalojnë kontestet, njoftoi korrespondentja e MIA nga Brukseli.

Marketing

“Ne jemi duke punuar dorë për dore me autoritetet bullgare dhe maqedonase, unë e prita Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Zëvendëskryeministrin javën e kaluar dhe i inkurajova që të angazhohen me fqinjin e tyre, sepse bëhet fjalë për interes të përbashkët për të gjetur një zgjidhje që është e pranueshme nga të dyja palët,” tha Varheji.

Ai konfirmoi edhe njëherë se qëllimi i Komisionit Evropian, si dhe i Presidencës gjermane, është që të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare, përkatësisht hapja e kapitujve të parë të negociatave, deri në fund të këtij viti.

“Ne jemi ende duke synuar t’i mbajmë konferencat e para ndërqeveritare nën presidencën gjermane (deri më 31 dhjetor,), ky është mesazhi që unë i transmetova Parlamentit Evropian dhe këtu, unë ende shpresoj se është e mundur,” deklaroi Varhei duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Komisari shtoi se këto raporte mbi progresin e reformës, të parat që kur ai e mori detyrën, u përgatitën në bazë të fakteve dhe informacioneve nga të gjithë palët e interesuara përkatëse.

“Shpresoj se me këtë Këshilli do të jetë në gjendje të ecë përpara dhe të arrijë marrëveshje mbi kornizën negociuese për të dyja vendet,” tha Eurokomisari për Zgjerim.

Ai në konferencën për shtyp e prezantoi edhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, të publikuar së bashku me raportet për vendet.

Për Komisionin Evropian, ky plan është një shenjë se angazhimi evropian në rajon po rritet, jo vetëm në drejtim të reformave, por edhe në drejtim të përafrimit të standardeve ekonomike me ato të BE-së, veçanërisht duke e pasur parasysh krizën e shkaktuar nga Kovid-19.

“Ne presim që ky plan të rezultojë rritje prej 3,6 për qind të BPV-së,” shtoi komisari.

Plani synon ta lidhë Ballkanin Perëndimor me BE-në dhe me njëri-tjetrin në një mënyrë më efikase përmes rrugëve dhe hekurudhave që do t’i lidhin të gjitha kryeqytetet në rajon, ndërsa paralelisht të investohet në tranzicionin e gjelbër, përmes zvogëlimit të përdorimit të qymyrit dhe linjitit.

Tranzicioni i energjisë duhet të kalojë përmes gazit dhe hidrogjenit, që, sipas studimeve, do të lejojë ulje prej 60 për qind të emetimeve të dëmshme të gazrave serë në rajon.

Ndotja e ajrit, burimet e ripërtëritshme të energjisë, projektet hidroelektrike, fotovoltaikët dhe menaxhimi më i mirë i mbetjeve janë ndër fushat kryesore që duhet të ballafaqohen vendet e rajonit me ndihmën e BE-së.

Tranzicioni digjital, si një shtyllë tjetër e këtij Plani, duhet të mundësojë ndalimin e ikjes së inteligjencës nga rajoni, të investohet në arsim, por edhe të investohet në infrastrukturën e nevojshme.