Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, tha se Komisioni Evropian (KE) do ta vendosë edhe njëherë si priroritet çështjen e zgjerimin në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë një vizite në Mal të Zi, Varheli deklaroi se detyra e tij është që të paktën një vend në rajon, të jetë gati për anëtarësim, deri në fund të mandatit të Komisionit aktual Evropian.

Zyrtari i lartë i BE-së, gjithashtu theksoi se Komisioni i ri do të angazhohet gjithnjë e më shumë në çështjet e politikës së jashtme përmes një mënyre strategjike.
“Ballkani Perëndimor do të jetë një lloj prove në këtë drejtim, sepse nëse nuk nuk tregojmë sukses sa më parë, atëherë nuk do të jemi një Komision i besueshëm gjeopolitik”, tha Varheli.

Varhelyi, i ka thënë udhëheqjes së Malit të Zi se vendi duhet të shpejtojë ritmin e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave.

Ai diskutoi me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe kryeministrin Dushko Markoviq, për metodologjinë e re të propozuar nga BE-ja, e cila synon ta bëjë procesin e anëtarësimit më të besueshëm, të parashikueshëm dhe politikisht gjithëpërfshirës.

Nëse miratohet nga vendet anëtare të BE-së, metodologjia e re do të aplikohet automatikisht për Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Serbia dhe Mali i Zi, që tashmë i kanë nisur negociatat me Brukselin, do të mund të zgjedhin midis qasjes aktuale dhe metodologjisë së re.