VARSHMËRIA NGA IMPORTI. Prodhojmë për të tjerët!

Maqedonia në vitin e kaluar ka importuar ushqim në vlerë prej 670 milionë euro që është për afër 44 milionë euro më shumë se në vitin 2018. Mirëpo nëse krahasohen të dhënat me vitin 2010 kur kemi importuar 559 milionë euro ushqim,atëherë mund të thuhet se në dhjetë vitet e kaluar është rritur importi i ushqimit për 111 milion euro.

Marketing

Nga ana tjetër në vitin 2019 kemi eksportuar ushqim në vlerë prej 367 milionë euro që paraqet rritje prej 165 milionë euro në raport me eksportin e ushqimit prej 202 milionë euro në vitin 1990, që tregon se nuk kemi rritur dukshëm konkurrencën e prodhimtarisë së ushqimit në vend. Njohësit e bujqësisë në vend thonë se përkundër ndarjes së mbi qindra milion euro për çdo vit për subvencione, nuk kemi arritur që të zëvendësojmë aty ku mundemi ushqimin nga importi me ushqim të prodhuar nga fermerët vendor si rrjedhojë e rritjes shumë të ngadalshme të konkurrencës në bujqësinë vendore. Ekspertët e kësaj lëmie thonë se nevojitet një vëmendje më e madhe ti kushtohet si prodhimtarisë primare nga ana e bujqve që ndeshen me problemin e plasmanit, si dhe ndaj kapaciteteve prodhuese për shkak se si shtet eksportojmë pemë-perime të freskëta, ndërsa më vonë harxhojmë me miliona e miliona euro për të importuar zarzavate të ngrira apo të konservuara.

“Ekzistojnë dy probleme kryesore pse kemi një drejtpeshim të çekuilibruar midis importit dhe eksportit të ushqimit. Viteve të fundit edhe me ndihmën e mjeteve IPARD po ndërtohen kapacitete të reja prodhuese mirëpo ato kanë problem të gjejnë lëndë cilësore për përpunim nga bujqit vendor. Për shembull fabrikat e salçiçeve po importojnë mish për përpunim nga Brazili, Polonia e kështu me radhë dhe nuk kanë mundësi të furnizohen nga prodhimtaria vendore”, thotë eksperti bujqësor Lulzim Fejzullahu.

Sipas tij , nuk ka tjetër rrugëdalje për të ecur përpara prodhimtaria bujqësore dhe e përpunimit të ushqimit përveçse të rrisë cilësinë dhe standardet që kërkohen.

“ Për të lëvizur përpara e tërë prodhimtaria bujqësore në shtet nevojitet që të kemi sa më shumë kapacitete prodhuese për përpunimin e pemë-perimeve apo me fjalë të tjera të orientohemi të eksportojmë prodhime me vlerë të shtuar, dhe nga ana tjetër të rrisim standardet e ndryshme që kërkohen për pemë- perimet në tregjet e jashtme ku aktualisht pjesa më e madhe e fermerëve nuk i plotësojnë kriteret e rrepta që kërkon Evropa”, shton më tej Fejzullahu. Nevojitet të rriten edhe kapacitetet prodhuese në prodhimtarinë blegtorale që përfshin edhe përpunimin e mishit dhe qumështit në prodhime me vlerë të shtuar shton më tej Fejzullahu. Sipas tij, në bilancin negativ të këmbimit tregtar me jashtë në sferën e ushqimit ka ndikuar në dhjetë vitet e fundit edhe liberalizimi i tregut ku si shtet nënshkrues i Marrëveshjes për tregti të lirë të Organizatës Botërore të tregtisë, marrëveshjes CEFTA etj angazhohemi për tregti të lirë dhe pa barrierë të ndryshme. “Marrëveshjet e tilla janë në favor të rritjes së konkurrencës së ekonomisë vendore . E tani ashtu siç ne që kemi mundësi të importojmë jashtë , ashtu edhe kompanitë e huaja kanë mundësi të eksportojnë në tregun tonë. Pra mbetet që më shumë të shfrytëzohet mundësia dhe gjasat që ofrohen nga marrëveshjet për tregti të lirë që I kemi nënshkruar me më shumë shtete”, shton më tej Fejzullahu. Ndryshe, analizat tregojnë se problem për prodhimin më të madh të ushqimit nga resurset vendore është edhe fakti se një e treta e tokave punuese bujqësore janë të papërpunuara, parcelat janë të vogla dhe të shpërndara , andaj edhe prodhimi vendor i ushqimit të kafshëve si bimët foragjere , por edhe drithërave , mishit, vajit të lule diellit, qumështit dhe sheqerit as përafërsisht nuk kënaq kërkesat e fermerëve dhe nevojat e popullatës. (koha.mk)

Marketing