Varshmëria nga mjetet narkotike, sektori civil: Programet për mjekim janë të dobëta

Rreth 1 600 persona në vend po mjekohen nga varshmëria e mjeteve narkotike. Vetëm 27% e të varurve janë të kyçur në programet për mjekim.

Marketing

Sipas sektorit civil kjo shifër është larg mesatares europiane, ku rreth 50% e personave që kanë nevojë për mjekim, kanë qasje në këto programe.
Sipas tyre niveli i ulët pasqyron përmbajtën e dobët të programeve, mbështetjen psiko-sociale, rehabilitimin dhe resocializimin.

Kjo vjen si pasojë e mungesës së psikiatërve.
“Programet janë të hapura, lista të pritjes ka rrallë, andaj secili që shpreh dëshirë mund të kyçet në programet për mjekim. Megjithatë mungon motivimi në shoqëri por edhe te shfrytëzuesit e drogave që të kyçen në këto programe. Në mbarë territorin mungon aspekti i rehabilitimit dhe resocializimit në programe të cilat kanë të bëjnë vetëm me terapi farmakologjike me metadon.” – u shpreh Dejan Cekovski nga OJQ.

Nga ministria e shëndetësisë thonë se po punojnë në programet për trajtimin e të miturve. Gjithashtu po punohet në disperizimin e pacientëve për metadon, nga qendra në Kisella Vodë nëpër qendra të tjera sikurse në poliklikën Jane Sandanski, në vendbanimet Çento dhe Bardovcë si dhe spitalin e qytetit ‘8 Shtatori’.

“Në këto qendra pacientët do të marrin terapi me metadon, ndërkaq për ndërrimin e terapisë do të vendosë psikiatri i angazhuar për pacientin. I njëjti do të vërtetojë se sa herë në javë pacienti duhet të merr terapinë. Në çdo qendër do të trajtohen rreth 120 pacientë. Vijojnë përgatitjet administrative të qendrave dhe menjëherë pas përfundimit të të gjitha përgatitjeve qendrat do të hapen për pacientët”, thonë nga ministria e shëndetësisë.

Në Kisella Vodë aktualisht po mjekohen rreth 500 të varur nga droga. Pjesa më e madhe e tyre duhet të udhëtojnë me orë gjatë ditës për të marrë terapinë.
Statistikat e sektorit civil flasin se 9% e qytetarëve kanë provuar drogën.

19% janë të rinjë nga mosha 15 deri në 24 vjeç, ndërkaq rreth 6 mijë e 600 qytetarë shfrytëzojnë drogën me injeksion.TVM2