Përgatitja e projekt amendamenteve, veprimi i grupit të ri të deputetëve në Kuvend, zvogëlimi i numri të deputetëve në VMRO-DPMNE, mbeten në agjendë edhe këtë fundjavë. Edhe pse ishte paralajmëruar mbetet e pasigurt kur projekt – amendamentet e Kushtetutës do të dorëzohen në Kuvend.

Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski dje pasdite për MIA-n deklaroi se akoma janë duke vijuar koordinimet rreth harmonizimit për ndryshimet e Kushtetutës.

“Në atë moment kur ato do të jenë në formë të shkruar do të publikohen publikisht dhe do të dorëzohen në Kuvend për finalizimin e tyre”, deklaroi Boshnjakovski, duke mos saktësuar më pas se kur do të mund të ndodhte një gjë e tillë.

Afati prej pesëmbëdhjetë ditësh që ia dha Kuvendi Qeverisë për përgatitjen e projekt-amendamenteve skadon të shtunën, por kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se kjo mund të ndodh edhe para këtij afati.

Sipas rrjedhës së ngjarjeve, projekt-amendamentet, megjithatë, duhet të vijnë në Kuvend nga mesi i javës së ardhshme.

Partitë në pushtet i bënë thirrje VMRO-DPMNE-së në opozitë që të kyçet në bisedimet për ndryshimet kushtetuese, por janë pesimistë se kjo mund të ndodhë. Por, bisedime për projekt-amendamentet është e sigurt se do të ketë me tetë deputetët të cilët votuan “për” ndryshimet kushtetuese, të cilët e njoftuan kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi se në të ardhmen do të veprojnë në mënyrë të pavarur si deputetë të pavarur dhe se janë duke formuar grup të ri deputetësh. Me siguri koordinatore e këtij grupi të deputetëve, sipas informacioneve të MIA-s, do të jetë Elizabeta Kançeska-Milevska.

Ky grup i ri i deputetëve në Parlament, siç thonë, do të veprojë si opozitë dhe prej të hënës do t’i fillojë bisedimet për projekt propozimet për amendamentet kushtetuese, por në pajtim me katër kërkesat e tyre të cilat i dorëzuan në Kuvend para votimit për ndryshimet kushtetuese të premten e kaluar.

Në këtë grup deputetësh krahas Kançeska-Milevska do të jenë edhe deputetët Emilia Aleksandrova, Kërsto Mukoski, Luben Arnaudov, Vlladanka Aviroviq, Sasho Vasilevski, Zeqir Ramçilloviq dhe Nolla Ismaillovska Starova.

evn