Vazhdojnë trazirat në Irlandën e Veriut

Irlanda e Veriut përjetoi një natë tjetër me trazira ndërsa protestuesit hodhën kokteje molotovi, gurë dhe fishekzjarre ndaj policisë, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Policia vendosi topa uji për të shpërndarë protestuesit të cilët kanë tronditur Belfastin, kryeqytetin e Irlandës së Veriut, që nga e mërkura.

Marketing

Të dyja palët, lojalistët dhe nacionalistët u përfshinë në trazirat në perëndim të Belfastit.

Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe kryeministri irlandez Taoiseach Micheal Martin zhvilluan bisedë telefonike, ku kërkuan qetësi dhe theksuan se dhuna është e papranueshme.

Trazirat filluan kur disa anëtarë të Sinn Fein morën pjesë në një funeral me pjesëmarrje të madhe në kulmin e tensioneve të shkaktuara nga marrëveshjet kufitare të Brexit-it, të cilat sollën kontrolle të mallrave të transportuara midis Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar.

“Gjithashtu edhe SHBA-ja shprehu shqetësime për dhunën në Irlandën e Veriut”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, një ditë pasi u sulmuan oficerët e policisë dhe iu vu flaka një autobusi të transportit publik në Belfast.

Partitë unioniste kritikuan shefin e Shërbimit Policor të Irlandës së Veriut, Simon Byrne për lejimin e një tubimi të tillë pavarësisht nga kufizimet e koronavirusit (COVID-19) dhe kërkuan dorëheqjen e tij.

Byrne tha se “trazirat e vazhdueshme në rrugë duhet të ndalen”.

Ai në Twitter shkroi: “Jam i hapur për dialog me këdo që është i gatshëm të punojë me mua për të zgjidhur çështjet me të cilat përballet komuniteti ynë”.


”Mesazhi im për ata që janë përfshirë në dhunë është të shkojnë në shtëpi para se dikush të plagoset rëndë. Dhuna nuk është përgjigjja”, tha ai.

Paqja e brishtë

Irlanda e Veriut mbahet mend për dhunën e saj sektare dhe terrorizmin disa dekadash, e cila mori jetën e mijëra njerëzve deri rreth 22 vjet më parë.

Problemet e epokës së konfliktit midis qeverisë britanike dhe paramilitarëve pro-britanikë në njërën anë dhe republikanëve irlandezë dhe nacionalistëve në anën tjetër, përfunduan në vitin 1998 me Marrëveshjen e Belfastit e cila i dha fund luftës së armatosur disa dekadashe në rajonin e ndarë të Mbretërisë së Bashkuar të Irlandës së Veriut.

Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës nënshkruan marrëveshjen, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe tetë parti politike në Irlandën e Veriut, më 10 prill 1998.

Marrëveshja, e quajtur Marrëveshja e së Premtes së Mirë, kryesisht i dha fund dhunës së epokës së trazirave, në të cilën 3.500 persona humbën jetën.



. .