Në Gjykatën Penale sot do të vazhdojë dëgjimi i “bombave” për lëndën “Titanik” të Prokurorisë Speciale Publike (PSP) ku të akuzuar janë disa ish-funksionarë.

Dëgjimi i “bombave” nisi të enjten kur u dëgjuan audio-materialet e para, ndërsa vazhdoi të premten me dëgjimin e 106, nga gjithsej 1.063 “bomba”.

Deri tani në materialet janë dëgjuar biseda mes ish-ministres për Punë të Brendshme Gordana Jankulloska, ish-ministrit të Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, ish-ministrit të Financave Zoran Stavreski, shefit të kabinetit të ish-kryeministrit Martin Protugjer dhe persona tjerë rreth fushatës zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2013.

Mbrojtja përsëri kishte reaguar duke thënë se xhirimet nuk kanë asnjë dëshmi, me çka gjykatësi Osman Shabani ka thënë se provat janë pranuar dhe do të përcillen tutje, pas çka gjykata do të vlerësojë nëse kanë të bëjnë me vepër penale apo jo.

Për lëndën “Titanik”, PSP ka parashtruar 5.910 prova materiale dhe janë propozuar 191 dëshmitarë.

Ndryshe, në lëndën “Titanik” të akuzuar janë ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish funksionarët Martin Protugjer, Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkoska Boshkovski, si dhe Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temellko, Leko Ristovski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska.

Ata dyshohen nga PSP për shoqërim kriminel, shkelje të së drejtës së votimit, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim i materialit zgjedhor dhe keqpërdorim i mjeteve për financim të fushatës zgjedhore në vitin 2012.