Në Gjykatën Penale në Shkup sot do të vazhdojë gjykimi për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë.

Gjykimi ndodhet në fazën e dëshmive, ndërsa në seancën e kaluar u lexuan SMS porositë nga celulari i kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, Trajko Veljanoski.

Ndërsa në seancat e mëparshme janë lëshuar inçizime nga kamerat e sigurisë në Kuvend, para zyrës së Veljanoskit dhe kamerat tjera në korridor.

Këshilli gjyqësor javën e kaluar vendosi ta ndajë procedurën për të akuzuarin Sasho Markovski, i cili për shkak të gjendjes shëndetësore nuk do të mund të paraqitet në gjykim.

Përndryshe, për ngjarjet e 27 prillit të akuzuar janë 33 persona prej të cilëve 31 për veprën “rrezikim terrorist të rendit kushtetues” dhe 2 të tjerët për “nxitje”.