Vazhdon gjykimi për “Llaskarcën”

Në Gjykatën Themelore Penale- Shkup për sot janë caktuar seanca për rastet “Llaskarcë”, “Titanik 3″, Trajektorja” dhe procedura e përsëritur për “Treqind”.
Rastin me aksidentin në Llaskarcë e udhëheq gjykatësja Diana Gruevska -Ilievska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurori publik Darko Jakimovski.

Marketing

Në aksidentin rrugor që ndodhi më 13 shkurt të këtij viti afër fshatit Llaskarcë kanë humbur jetën 16 persona, ndërsa 37 të tjerë u lënduan rëndë. Për aksidentin, gjegjësisht për vepra të rënda të kryera kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në aksident, janë akuzuar gjashtë persona.
Në Titanik 3″ të akuzuar janë Ejup Alimi dhe Ismet Guri nga BDI-ja, të cilët ngarkohen se si anëtarë të Komisionit zgjedhor komunal në Çair në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë shkatërruar material zgjedhor.

Procedura filloi sërish më 15 mars të këtij viti pas emërimit të gjykatës Marija Kletniçka për gjykatëse të re në këtë lëndë, pasi gjykatësja Ole Ristova , e cila e ka udhëhequr rastin, në shkurt të këtij viti ka kërkuar largim nga rasti.
Rasti “Trajektorja” ndodhet në procedurë dëshmuese dhe në të të akuzuar janë ish kryeministri Nikolla Gruevski, i cili po gjykohet në mungesë, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, ish zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski dhe ish drejtori i NP “Rrugët shtetërore”, Ljupço Georgievski.

Sipas aktakuzës së PSP-së, të akuzuarit në gjysmën e dytë të vitit 2012 dhe gjatë vitit 2013 kanë ndërmarrë disa veprime me të cilat në procedurën për zgjedhje të kompanisë për ndërtimin e autostradave Milladinovci -Shtip dhe Kërçovë – Ohër i shfrytëzuan dhe tejkaluan autorizimet e veta. me atë e kanë dëmtuar Buxhetin së paku 155 milionë euro.

Në rastin “Treqind” i akuzuar është ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme Gjoko Popovski për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë furnizimit të 300 automjeteve për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjykatësja Dobrilla Kacarska në maj të vitit të kaluar e dënoi Popovskin me nëntë vjet burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zbatimit të procedurës për tender dhe zgjedhjen e ofertës më të volitshme gjatë furnizimit të 300 automjeteve për nevojat e Ministrisë së Brendshme.
Sipas akuzës së PSP-së Popovski nuk i ka respektuar rregullat ligjore për furnizim publik dhe e ka dëmtuar buxhetin 453.570 euro.

Marketing