Vazhdon hapja e kutive të Beratit, nga 12 të shqyrtuara, 4 me probleme të rënda

Ka vazhduar që nga mëngjesi në KAS, shqyrtimi i materialeve zgjedhore për 12 kuti nga 24 në total në qarkun e Beratit për të verifikuar parregullsitë e pretenduara nga LSI.

Nga 6 kuti që janë hapur fillimisht mësohet se në 4 prej tyre ka pasur mungesë të dokumentacioneve dhe problem të rënda të votimit të dyfishtë.

Marketing

Pas shqyrtimit të kutisë për Qendrën e Votimit 3275, KZAZ 65, rezulton se ka pasur një tentativë për votim të dyfishtë dhe mungon raporti i mbylljes së pajisjes së identifikimit elektronik.

Pas shqyrtimit të kutisë për Qendrën e Votimit 3431, KZAZ 66, rezulton se raporti i i mbylljes së pajisjes së identifikimit elektronik mungon, gjithashtu mungon në kuti vendim gjykate për zgjedhësit që kanë votuar.

Pas shqyrtimit të kutisë për Qendrën e Votimit 3446, KZAZ 66, rezulton se nuk gjendet në kuti manuali zgjedhor, procesverbali nga QV për kalimin në proces të votimit manual.

Pas shqyrtimit të kutisë për Qendrën e Votimit 3445, KZAZ 66 rezulton se mungon raporti i hapjes dhe i mbylljes së procesit së pajisjes së identifikimit elektronik.

KAS do të vendosë në fund të shqyrtimit të 24 qendrave të votimit që ka kërkuar LSI nëse do të shpallë pavlefshmëri në këtë qark apo jo dhe më pas, do të vendosë nëse do të ketë rivotim apo rinumërim të votave për qarkun e Beratit.

Nga 24 kutitë një prej tyre ishte ngatërruar nga LSI duke sjellë një tjetër, ku sipas informacioneve do të bëhet ndërrimi për të.

Hapja e kutive  realizohet për të marrë në cilësinë e provës së materialeve zgjedhore procesverbalet e votimit, raportin e pajisjes së identifikimit elektronik, regjistrin e zgjedhësve me nënshkrimet.

Në proces do të përfshihen: QV 3446, QV 3431, QV 3445, QV 3318, QV 3275, QV 3270, QV 3287, QV 3307, QV 3472, QV 3473, QV 3482, QV 3325, QV 3456, QV 3440, QV 3330, QV 3220, QV 3433, QV 3328, QV 3429/1, QV 3518, QV 351, QV 3501, QV 3416.

Të pranishëm në shqyrtim  janë anëtarët e KAS, grupet e numërimit, gazetarët dhe operatorët.

Kujtojmë se Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ pranoi vetëm 1 nga 2 ankimimet e LSI dhe e rrëzoi atë të PD-së për rezultatin që u prodhua në zgjedhjet e 25 Prillit në qarkun Berat.

Elvis Cefa relator i këtyre ankimimeve dha detajet e vendimmarrjes së KAS. Në kushtet kur e humbi mandatin për vetëm 77 vota, LSI i kërkoi KAS pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 24 qendra votimi qarku Berat e si pasojë përsëritjen e zgjedhjeve.

Ndërsa PD po për qarkun e Beratit kërkonte nga KAS,  marrjen e provave shtesë nga SPAK, ndërsa përfaqësuesi ligjor i PD-së,  Ivi Kaso u shpreh i zhgënjyer me këtë vendim dhe paralajmëroi ankimime të mëtejshme duke lënë të nënkuptohet se beteja ligjore e demokratëve do të zhvendoset në Kolegjin Zgjedhor.

Marketing