Vazhdon izolimi i Evropës, pesë rajone spanjolle i mbyllin kufijtë

Pesë rajone administrative të Spanjës, përfshirë rajonin ku gjendet kryeqyteti Madrid, njoftuan të mërkurën se do t’i mbyllin kufijtë para një feste kombëtare në fundjavë në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e virusit.

Marketing

Familjet spanjolle tradicionalisht i vizitojnë varret e më të dashurve çdo 1 nëntor për të lënë lule mbi to. Pasi kjo datë këtë vit i bie të dielën, e hëna është shpallur ditë pushimi për të krijuar një fundjavë treditore, shkruan The Guardian.

Rreth gjashtë milionë njerëz zakonisht udhëtojnë në pjesë tjera të vendit gjatë Ditës së të Gjithë Shenjtorëve dhe për këtë shkak, qeveria rajonale e Madridit planifikon që t’i mbyllë kufijtë nga e premtja deri të hënën, bëri të ditur kryeministrja rajonale, Isabel Diaz Ayuso.

“Jemi të vetëdijshëm se duhet ta vazhdojmë pakësimin e kontakteve sociale”, tha ajo gjatë një konference të përbashkët me gazetarë me udhëheqësit e rajoneve fqinje, Castilla Leon dhe Castilla La Mancha, të cilët thanë se kufijtë do t’i mbajnë të mbyllur deri më 9 nëntor, kur shënohet një festë tjetër në Madrid.

Për më tepër, rajonet bregdetare të Murcias në juglindje dhe Andaluzisë në jugperëndim, që janë destinacione të popullarizuara për banorët e pjesës së brendshme të Spanjës gjatë fundjavëve, thanë gjithashtu se do t’i mbyllin kufijtë nga 30 tetori deri më 9 nëntor.

Këto vendime nënkuptojnë që spanjollët nuk do të mund të udhëtojnë nga një rajon në tjetrin gjatë këtyre ditëve, me përjashtim të atyre që kanë arsye të forta, siç janë udhëtimi për në punë dhe për t’u mjekuar.

Javën e kaluar, Spanja u bë shteti i parë i Bashkimit Evropian që e kaloi shifrën prej një milion infektimeve të konfirmuara, ndërsa ka shënuar edhe mbi 35.000 viktima.

Marketing