Vazhdon ndarja e bursave dhe përkrahjes mentoriale për nxënësit romë

Fondi Edukativ Rom (FER) nga Budapesti dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojnë të ofrojnë stimulim financiar dhe mbështetje mentoriale për nxënësit e bashkësisë etnike rome në Republikën e Maqedonisë.

Marketing

Kjo u dakordua në takimin e sotëm mes ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi dhe përfaqësuesve të Fondit Edukativ Rom – fond ky që për dhjetë vjet është partner i vendit dhe kontribuon në forcimin e procesit të integrimit të romëve të rinj në shoqëri përmes mbështetjes dhe ndihmës në arsimimin e tyre, si dhe në realizimin e aspiratave personale dhe profesionale.

Me këtë rast, ministri Ademi ka shprehur kënaqësinë e tij lidhur me kontributin e deritanishëm të FER-it në krijimin dhe zbatimin e politikave nacionale të arsimit të vendit, të cilin e ka vlerësuar lartë, si dhe bashkëpunimin e deritanishëm. Ai ka uruar që ky Fondacion të vazhdojë me sukseset dhe rezultatet pozitive që i ka shënuar deri më tani.

Përndryshe, deri më tani me mbështetjen e FER-it mbi 5,000 bursa u janë ndarë nxënësve romë dhe janë angazhuar rreth 1,000 mësues mentorë dhe tutorë të cilët përmes mësimit shtesë u ndihmojnë nxënësve që më lehtë të përballojnë materialin e lëndëve mësimore.

Marketing