Vazhdon ngjyrosja e bankinave të betonit te Çaircanja në Çair. Zëdhënësi i Qytetit të Shkupit Valon Saliu në facebook ka shkruar se kanë hasur në kritika të shumta, por edhe inkurajime, për ta vazhduar ngjyrosjen deri në fund. Mos paragjykoni, është bërë për sigurinë fëmijëve – ka shkruar mes tjerash Saliu.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plot e Saliut:

Një mur, qindra emra!

Një rrugë, dhjetëra fatkeqësi!

Një ide, përplot me ngjyra!

Një ndarje, për më tepër siguri!

Këto ditë hasëm në kritika të shumta, me të drejtë ose pa të drejtë, por hasëm edhe në dyfish inkurajime, bile bile për ta vazhduar murin deri në fund të rrugës.

Një gjë është e sigurt! Kjo rrugë, këtë periudhë, është shumë më tepër e sigurt për këmbësorët që kalojnë rrugën këtu dhe në veçanti shumë më tepër e sigurt për fëmijët e shkollave afër! Këta fëmijë emrat e të cilëve po i lexoni në këtë mur, kanë qenë viktima më e shpeshtë e kësaj rruge dhe fatkeqësisht deri më tani asnjë hap nuk është ndërmarur për ta ulur rrezikun që kjo rrugë ofron. Këta fëmijë emrat e të cilëve po i lexoni në këtë mur janë emrat e fëmijëve që ky mur do ti mbrojë.

Mund të mos ju pëlqen ideja, mund të mos ju pëlqejnë emrat, por para se të kritikoni e të paragjykoni, vuloseni në kokë se ky mur është bërë për sigurinë e këtyre fëmijëve. Ta keni të qartë! Nuk ka kompromis që do të zëvendëson sigurinë e këtyre fëmijëve, emrat e të cilëve do ti lexoni secilën herë që do të kaloni në këtë rrugë!

Personalisht, ka kohë që këtë rrugë ta kem parë më të bukur se sot!

P.S. Muri është në vizatim e sipër, ditët në vijim do ta prezantojmë versionin final.