ë Kodrën e Diellit, Inspektorati komunal i Tetovës ka ndërmarrë një aksion për eliminimin e ndërtimeve pa leje, gjegjësisht, rrënimin e mureve rrethonjëse të weekend shtëpizave. Nga ky inspektorat thonë se kanë qenë të shtrënguar të ndërmarrin masat ndëshkuese për shkak të mosrespektimit të lejeve të ndërtimit.

Në qendrën turistike dimërore të Kodrës së Diellit, në komunën e Tetovës Inspektorati komunal tash disa ditë vazhdon aksionin për rrënimin e mureve rrethonjëse të weekend shtëpizave. Jashtë kamerave, disa nga pronarët e këtyre objekteve thane se nuk kanë qenë të informuar për këto rrënime dhe, sipas tyre, aksioni i ndërmarrë nga Inspektorati komunal është i papritur dhe i pa drejtë.

Por nga ana tjetër, me anë të një komunikate, nga Inspektorati komunal deklaron se muret mbrojtëse janë të ndërtuara pa leje prandaj, kanë qenë të detyruar të ndërmarrin masa ndëshkuese të cilat burojnë nga obligimet ligjore të inspektoratit.

‘Edhe pse pronarët janë paralajmëruar paraprakisht, dhe u janë dhënë edhe aktvendime, të njëjtët nuk i kanë zbatuar obligimet që burojnë nga vendimet e plotëfuqishme të inspektoratit. Për këtë arsye, inspektorati ishte i detyruar që të intervenojë duke rrënuar ose mënjanuar objektet pa leje, gjegjësisht muret rrethuese dhe rrethojat.’-thuhet në komunikatën e Inspektoratit komunal të Tetovës.

Po ashtu, nga ky inspektorat bëjnë thirrje për mbrojtjen e Kodrës së Diellit nga dëmtimi që sjellin ndërtimet pa leje, por jo vetëm.

‘U apelojmë të gjithë qytetarëve për ndërgjegjshmëri dhe vetëdije më të lartë shoqërore, dhe të gjithë së bashku të kujdesemi për këtë margaritar natyror që na e ka dhënë natyra, duke mos e gjymtuar me ndërtime pa leje, deformime infrastrukturore, hedhje të hedhurinave, gërmime si dhe veprime të tjera që dëmtojnë këtë trashëgimi dhe pasuri kolektive.’ – theksohet në komunikatën e Inspektoratit komunal të Tetovës.

‘Kodra e diellit’ e cila shtrihet në një lartësi mbidetare prej 1780 m, është një qendër turistike atraktive për skijim dhe mbledh çdo vit turistë të shumtë nga vendi dhe jashtë.

/Klan Maqedoni/