Maqedonia shënon ngecje në luftën kundër korrupsionit. Ligji për parandalimin të korrupsionit nuk jep rezultatet e dëshiruara, ndërsa as institucionet që janë kompetente për luftimin e kësaj dukurie nuk funksionojnë siç duhet. German Filkov nga Qendra për Komunikim Civil thotë se ligji aktual për parandalimin e korrupsionit është i fokusuar vetëm në një fazë tenderuese dhe se lë hapësirë për manovrime në fazën fillestare dhe atë përfundimtare.

“Ligji si i tillë, e përfshin vetëm fazën e mesme të tenderëve. Pra Ligji nuk merret me fazën fillestare, planin, kushtet apo marrëveshjen. Korrupsioni bëhet në fazën para tenderit, mundësohet në fazën tenderuese dhe në fund realizohet në fazën pas tenderit. Andaj në këto tre faza duhet të hapen sytë dhe gjithkund të luftohet korrupsioni”, deklaroi German Filkov, CGK (Qendra për komunikime të qytetarëve).

Nikola Bertolini, nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup, vlerëson se Qeveria e re ende nuk ka arritur ta parandaloj korrupsionin, edhe pse e thotë është çështje prioritare. Ai vu në pah rëndësinë e luftës së korrupsionit në këtë fazë kur vendi synon integrimet euroatlantike.

“Lufta kundër korrupsionit është prioritet i Qeverisë, megjithatë, vitin e fundit unë nuk shoh progres. Anketat e bëra nga tregojnë që rritje të korrupsionit në Maqedoni dhe se qytetarët janë pesimist se korrupsioni mund të parandalohet. Bashkimi Evropian pret që shteti juaj do të reflektojë pozitivisht në parandalimin e korrupsionit”, tha Nikola Bertolini, Delegacion i BE-së.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se po ndërmarrin masa në luftën ndaj korrupsionit duke e pranuar faktin për nevojën e reformave në Komisionin Shtetërorë për Parandalimin e Korrupsionit.

“Për këtë gjë Ministra e Drejtësisë ka formuar grupe punë për hartimin e një propozim ligjit të ri për parandalim të korrupsionit me çka mes tjerave do të propozohen dispozita për reformimin e modelit të trupit anti-korrupsion”, tha Oliver Ristovski, Zëvendësministër i Drejtësisë.

Analizat e publikuara gjatë këtij debati, vë në dukje se 80% e firmave që marrin pjesë nëpër tenderë dyshojnë për korrupsion, por vetëm 7% e tyre paraqesin ankesa. Analizat gjithashtu tregojnë se jo rrallë herë ndodh që në tender të konkurrojë vetëm një firmë, për shkak të kushteve të palogjikshme që vendosen për të aplikuar. Sipas panelistëve, kjo bëhet me qëllim të pamundësimit të firmave për të konkurruar. Një rast i tillë ndodhi vitin e kaluar në Tetovë, kur Komuna shpalli konkurs për avokat, me kusht që i njëjti të ketë 32 vjet përvojë pune dhe të ketë punuar së paku në dy komuna në të kaluarën. Ndërsa njeriu i vetëm që përmbushte këto kritere, ishte avokati që kishte përfaqësuar Komunën e Tetovës paraprakisht.