Gjendja me virusin është duke u qetësuar, kurba epidemiologjike është në rënie, ndërsa këtë e shohim sipas numrit të rasteve të sapodiagostikuara, tash e më shumë ditë me radhë po zvogëlohen numrat, shkroi në profilin e tij në Fejsbuk ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, pas takimit të rregullt të mëngjesit me drejtorët e qendrave për Kovid.

Në takim është analizuar gjendja me Kovid-19 në 24 orët e kaluara. Sipas ministrit Filipçe, është duke u zvogëluar presioni mbi spitalet edhe pse nuk janë liruar tërësisht një numër i madh repartesh.

“Është duke u zvogëluar presioni mbi spitalet edhe pse nuk janë liruar tërësisht një numër i madh i reparteve, pasi karakteristikë për këtë valë është përkeqësimi tek pacientët të jetë pak më vonë dhe që këtu cikli i lirimit të kapaciteteve spitalore vjen 2-3 javë më vonë”, shkruan Filipçe në Fejsbuk.

Ai ju bëri apel qytetarëve për kujdes maksimal edhe gjatë periudhës që na pret.