Veseli-Ahmeti: Kosova dhe Maqedonia, faktorë të rëndësishëm për paqe

Kosova dhe Maqedonia janë faktorë të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon, që kanë hyrë në rrugën e pandalshme të integrimit euro-atlantik, si perspektivë e vetme për të ardhmen e të dyja vendeve.

Marketing

Kështu u tha në takimin e kreut të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ku u bisedua për zhvillimet aktuale në Kosovë e Maqedoni, si dhe për mënyrat e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan lart raportet ndërfqinjësore dhe theksuan nevojën e kultivimit të mëtejmë të tyre e të bashkëpunimit me interes reciprok, si në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në Maqedoni, si në ruajtjen e stabilitetit të brendshëm, ashtu edhe në orientimin euro-atlantik të këtij vendi fqinj.

Ndërsa, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, vlerësoi lart hapat që ka bërë Kosova në konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe rritjen e përfaqësimit e të njohjes ndërkombëtare të saj.