Veseli në Shkup, takohet me Talat Xhaferin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka qëndruar të dielën në Shkup ku ka takuar kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e të cilin kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërshtetëror, e në veçanti për rolin e Maqedonisë në kohën e intervenimit të NATO-s mbi Serbi 20 vite më parë.

Marketing

Kreu i Kuvendit të Kosovës, ka shkruar në faqen e tij në Facebook se pikërisht në 20 vjetorin e fillimit të sulmeve ushtarake të NATO-s mbi Serbi, e falënderon shtetin fqinj për kontributin e çmuar që ka dhënë duke hapur rrugët e bashkëpunimit për forcat e NATO-s të cilat nga aty janë futur në Kosovë për tu dalë në ndihmë qytetarëve shqiptarë.

Veseli po ashtu ka falënderuar bashkëkombësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për strehimin dhe ndihmat që kanë dhënë për qytetarët e Kosovës të dëbuar dhunshëm nga forcat serbe.

Ai ka thënë se Kosova nuk do ta harrojë asnjëherë ndihmën e miqve të saj anembanë botës në kohën e luftës dhe do të jetë mirënjohës përjetë.

Statusi i plotë i Kadri Veselit:

Në 20 vjetorin e fillimit të sulmeve ushtarake të NATO-s mbi Serbi, sot qëndrova në Maqedoninë e Veriut ku takova në Shkup homologun dhe mikun tim Talat Xhaferi. Shteti ynë fqinj ka dhënë kontribut të çmuar duke hapur rrugët e bashkëpunimit për forcat e NATO-s të cilat nga aty janë futur në Kosovë për tu dalë në ndihmë qytetarëve tanë. Po ashtu, mirënjohje për bashkëkombasit tanë në Maqedoninë e Veriut për strehimin dhe ndihmat që kanë dhënë për qytetarët e Kosovës të dëbuar dhunshëm nga forcat serbe. Ne nuk do ta harrojmë asnjëherë ndihmën e miqve tanë anembanë botës në kohën e luftës. Ju jemi mirënjohës përjetë!.

Marketing