Vetëm dy shqiptarë në Bibliotekën nacionale!?

Nga rreth njëqind të punësuar në Bibliotekën Nacionale “Shën Klimenti i Ohrit” vetëm dy janë shqiptarë, drejtori dhe një bibliotekare. “Ishte 1 për qind, me emërimin tim u bëmë 2%”. Frymëzim Dauti ka 7 muaj që ka marrë detyrën e drejtorit të bibliotekës, ndërsa pohon se si në shumë institucione, as këtu nuk është respektuar punësimi sipas Marrëveshjes së Ohrit, e kjo sipas tij, për arsye politike dhe burokratike.

Marketing

“Për shembull në institucionin tonë nuk është punësuar asnjë shqiptar ndërsa unë jam shqiptari i parë që vij në këtë pozicion, që do të thotë se pasi u punësova unë do të ketë punësim të shqiptarëve. Në ato institucione ku nuk ka pasur drejtor shqiptarë, punësimi i shqiptarëve ka ngecur që nënkupton se arsyet janë politike dhe burokratike”, tha Frymëzim Dauti, Drejtori i BNU “Shën Klimenti i Ohrit”. Dauti zotohet se brenda tre muajve do të shpallet konkurs për punësime të reja.

“Ne e kemi bërë planin për punësim dhe sistematizim e cila është në procedurë dhe momentalisht gjendet në Ministrinë e Administratës dhe Informatikës të cilët pasi do ta aprovojnë, ne do të shpallim konkurs për punësim, ku përveç kushteve për kualifikimin dhe rrogën, do të cekim edhe përkatësinë etnike, që do të thotë se përafërsisht nga 20 të punësuar së paku 15 do të jenë shqiptarë”, deklaroi Frymëzim Dauti, Drejtor i BNU “Shën Klimenti i Ohrit”.

Në Bibliotekën Nacionale padrejtësi është bërë edhe me punësimin e pjesëtareve të komunitetin rom, sepse nuk ka asnjë të punësuar. Drejtori parasheh që me konkursin e ri të punësohen tre persona të përkatësisë rome.

Marketing