Vidhen kapakët e kanalizimit në rrugën Industriale

Në rrugën industriale në Tetovë dukuria e vjedhjes së kapakëve të kanalizimit vazhdon të jetë prezent. Dhjetëra kapakë të këtillë mungojnë kurse banorët alarmojnë për rrezik si për këmbësorët, po ashtu edhe për automjetet që qarkullojnë në këtë rrugë. Disa prej tyre janë mbuluar vetë nga banorët, por kjo ata thonë se nuk është zgjidhje. Në këtë rrugë mungojnë shumë kapakë të cilët janë vjedhur, ndërsa ata që janë në rrezik janë këmbësorët dhe drejtuesit e biçikletave, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Më rrezik është gjatë orëve të natës, kur nuk vërehet aspak se gropat janë të hapura dhe banorët janë të rrezikuar që të bien dhe të marrin lëndime. Por, në rrezik janë edhe nxënësit të cilët vijojnë mësimin në shkollën fillore “Kirili dhe Metodi” në këtë pjesë të Tetovës. Kjo situatë në këtë pjesë të Tetovë është me vite të tëra thonë qytetarët. “Me vite të tëra nuk janë rregulluar. Gjatë ditës mund të vërehen se janë të hapura këto kanalizime dhe kemi kujdes, kurse gjatë natës nuk vërehen dhe mund të ndodh që të bien njerëzit, sidomos ata që nuk janë banorë në këtë lagje. Duhet që merren masa që këto kapakë të zëvendësohen”, ankohet një banorë i kësaj lagje.

Kompetentët thonë se pas çdo vjedhje njoftohet policia. NPK-ja apelon që të mos vidhen të njëjtat sepse nuk ka kapak rezervë.

Në ndërkohë, sipas përgjegjësve për rrjetin e kanalizimit në Tetovë, edhe pse kapakët zëvendësohen, megjithatë vjedhjet vazhdojnë. Ata nënvizojnë se vjedhjet i denoncojnë në polici, por autorët nuk janë zbuluar asnjëherë. Sipas tyre, viteve të fundit vjedhjet nuk kryhen për përfitime personale, sepse mbledhësit e hekurit nuk i marrin dhe kanë frikë se mos zbulohen, por kapakët e hekurta përdoren nga qytetarët për qëllime tjera nëpër lagje apo shtëpitë e tyre. “Vjedhja e pusetave është një fenomen që ndodh vite me radhë. Ne mundohemi të vendosim të reja, por e kemi të pamundur pasi që hajnat veprojnë në vende edhe nuk duken shumë. Rastet fillimisht i paraqisnim edhe në polici. Por kohëve të fundit e kemi lënë një gjë të tillë, pasi e kemi parë se policia ka ndërmarrë vetëm një masë dhe atë që të mos mund të shiten në vendet ku blihet dhe grumbullohet hekuri. Një pusetë kushton rreth 5000 denarë dhe dëmtimi apo vjedhja e tyre na shkakton dëm të madh”, thonë për KOHA nga NPK-ja.

Nga policia e Tetovës thonë se as vitin e kaluar e as tani nuk ka paraqitje të rasteve. Ata thonë se vidhen deri në 10 puseta në vit. Vjedhje të kapakëve të kanalizimit nuk është hera e parë që ndodhën në qytetin e Tetovës apo vetëm në këtë rrugë, por edhe në pjesë të tjera të qytetit ky fenomen është i pranishëm. Jo rrallë herë kanë ndodhur edhe aksidente trafiku përgjatë rrugëve ku janë vjedhur kapakët e kanalizimit. Kohëve të fundit janë duke u bërë edhe përgatitje për asfaltimin e bulevardit në rrugën Industriale dhe pritet që edhe kjo problematikë të zgjidhet. (koha.mk)