Më shumë se 14.000 të infektuar dhe 304 të vdekur në Kinë: Për të parandaluar përhapjen e virusit të Koronës, janë vendosur kufizime drastike në qytetin Wenzhou. Ka njohuri të reja në lidhje me transmetimin e sëmundjes.

Numri i të infektuarve me virusin Korona në Kinë po rritet me shpejtësi, gjë që i bën autoritetet të marrin vendime të mëtejshme drastike. Për herë të parë, liria e lëvizjes së banorëve është kufizuar në mënyrë masive në një qytet jashtë provincës Hubei.

Në Wenzhou në bregun lindor të Kinës, lejohet të dalë në rrugë vetëm një person për familje, çdo dy ditë për të blerë gjëra të domosdoshme për të mbijetuar, thanë autoritetet lokale. Më shumë se 40 pika taksash në autostradë në qytet janë mbyllur. Sipas të dhënave zyrtare, virusi është vërtetuar deri tani te 256 vetë në qytetin me nëntë milionë banorë. Wenzhou ndodhet në provincën Zhejiang, e cila pas Hubeit është provinca me numrin më të madh të infeksioneve të konfirmuara.

Më shumë se 14.000 vetë të infektuar

Në Hubei, janë futur tashmë në karantinë disa qytete të krahinës, me një numër total prej më shumë se 40 milion banorësh. Njerëzit nuk lejohen të largohen nga qytetet, transporti publik është ndalur, aktivitetet janë anuluar dhe zbatohen masa të mëtejshme të mbrojtjes së shëndetit. Shumë shtete tashmë i kanë larguar qytetarët e tyre nga Wuhan dhe rrethinat. Brenda një dite u raportuan 45 vdekje të reja dhe 1921 infektime të reja me virusin Korona nga krahina kineze Hubei. Sipas televizionit shtetëror, në Hubei ka 294 raste të njohura vdekjesh. Gjithsej në Republikën Popullore kanë vdekur 304 vetë. Numri i rasteve të konfirmuara në Kinë,sipas të dhënave zyrtare u rrit në 14.380.

Veç kësaj, Filipinet raportuan vdekjen e parë jashtë Kinës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, i ndjeri është një 44-vjeçar nga Wuhani. Ai dhe partnerja e tij, e cila gjithashtu është e sëmurë, patën udhëtuar në Filipine më 21 janar.

Përhapje përmes feçeve?

Nuk ekziston asnjë vaksinë kundër sëmundjes së re. Sipas Spitalit Renmin të Universitetit të Wuhanit dhe Institutit të Viruseve të Akademisë së Shkencave të Kinës, sëmundja e mushkërive mund të përhapet në sistemin e tretjes. Virusi u gjet gjithashtu në mostrat e jashtëqitjes dhe në teste rektale, pasi mjekët patën zbuluar se disa pacientë kishin vetëm diare, në vend të etheve të zakonshme, njoftoi agjensia zyrtare e lajmeve Xinhua.

Virusi Korona mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me ftohjen ose me gripin, por edhe marrje fryme dhe pneumoni. Virusi besohet të jetë transmetuar te njerëzit nga kafshët e egra në një treg në Wuhan. Kina e informoi OBSH për rastet e para në fund të dhjetorit.

Dy gjermanët “janë mirë në bazë të rrethanave”

Sipas Ministrisë së Çështjeve Sociale të Hessenit, dy pasagjerë gjermanë që u kthyen nga Kina dhe u infektuan me virusin Korona “janë mirë në bazë të rrethanave”. Ata po mjekohen në klinikën universitare në Frankfurt am Main. Të dy ishin fillimisht në karantinë me mbi 100 të kthyer të tjerë në një kazermë në Pfalz, pasi u kthyen dje për në Gjermani me një avion të Bundeswehr-it.