Viti i ri shkollor do të nisë ashtu siç është planifikuar por mund të përshtatet varësisht gjendjes epidemiologjike me Covid 19. Ministrja e Arsimit, Milla Carovska bëri të ditur se nga sot në të gjitha shkollat do të lëshohen fjalë-kalimet e nxënësve që gradualisht të fillojë testimi i Platformës për mësim në distancë. Carovska tha se Platforma për mësim do të ofrojë edhe ndihmë psikologjike, ndërsa fëmijët që për një javë do të mungojnë në mësim do të vizitohen në shtëpi nga shërbimi profesional i shkollës dhe mësimdhënësi.

Nëse një kohë të gjatë ose një javë nuk kemi kontakt me nxënësin e as prindërit, atëherë shërbimi profesional bashkë me mësimdhënësin do ta vizitojnë fëmijën në shtëpi për të kuptuar çfarë po ndodhë -tha Mila Carovska, Ministre e Arsimit.

Kryetari i Sindikatës për Arsim, Jakim Nedellkov ndërkaq përsëriti qëndrimin e tij se punonjësit në arsim nuk mund të fillojnë me punë nëse nuk furnizohen me mjetet e nevojshme. Ai shtoi se në sindikatë kanë mbërritur shumë ankesa nga mësimdhënësit, e që kanë të bëjnë me realizimin e mësimit nga distanca.

Nëse nuk do të kenë me çfarë të punojmë atëherë shtrohet pyetja si do të punojmë. I qëndroj pas asaj që kam deklaruar dhe sërish po e përsëris se sipas informacioneve që ne kemi, sipas anketave në shkolla, relativisht një numër i madh i shkollave akoma nuk kanë siguruar mjete teknike – u shpreh Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Ministrja e Arsimit, Milla Carovska tha se një pjesë e shkollave tashmë kanë arritur marrëveshje me të punësuarit që gjatë periudhës së furnizimit ti shfrytëzojnë pajisjet e tyre. Viti i ri shkollor 2020-21 pritet të filloj të enjten, më 1 Tetor.