Viti i Skënderbeut, promovohet trilogjia “Gjergjat në drita përkrenaresh”

Libri “Gjergjat në drita përkrenaresh” i autorit Avni Dehari nga Prishtina sot erdhi në Shkup. Në Qendrën Kulturore Informative, trilogjia u promovua para të ftuarve të shumtë nga jeta kulturore dhe politike në vend. Autori i veprës për fëmijë u shpreh optimist që kjo vepër të jetë frymëzim edhe për krijues të tjerë.

Marketing

Uroj që trilogjia ime “Gjergjat në drita përkrenaresh” të jetë nxitëse për t’i nxitur edhe shumë krijues të tjerë që të shkruajnë libra për personalitet e shumta të historisë sonë të pasur kombëtare. Jo vetëm të kohës së Skënderbeut, por për luftëtarët e periudhave të ndryshme, pse jo edhe të luftës së fundit që ka zhvilluar populli ynë dhe që po bën përpjekje që ta përmirësojë pozitën e vet edhe më tej”, tha Avni Dehari, Autor i Trilogjisë.

Promovimi i kësaj trilogjie vjen në vazhdën e aktiviteteve për 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, Skënderbeut. Përmes librit, autori sjell jetën e Skënderbeut në tre etapa, fëmijërinë, rrëmbimin nga turqit si dhe rikthimin për çlirimin e atdheut.

“Në të gjitha episodet e përshkruara figura e Skënderbeut është vizatuar artistikisht sa në dimensionin heroik aq edhe atë njerëzor. Kjo mënyrë trajtimi e bën të afërt me lexuesin duke ndërtuar raporte komunikuese me të dhe kjo krijon premisat e nevojshme që ky lexues i ri t’i bëjë të vetat natyrshëm vlerat e përcjella”, u shpreh Shaip Emërllahu, Profesor Universitar.

Gjatë promovimit u premtua se fëmijët e shkollave shqipe në Maqedoni do ta kenë shumë lehtë për ta arritur deri tek libri.

“Ne sot këtu vetëm simbolikisht e përcjellim lajmin se edhe në Maqedoni u promovua libri i Avniut, sepse prej sot ky libër falë vendimit të promotorit të këtij promovimi do të shpërndahet falas në të gjitha shkollat shqipe në Maqedoni, prandaj në mënyrë të veçantë kemi ftuar përgjegjës arsimi nëpër komunat shqiptare, drejtorë shkollash, që nga këtu në shkollat e tyre të shkojnë me veprën e Avniut”, tha Xhevat Ademi, Moderator.

Krahas vlerësimeve të larta, para të pranishmëve gjithashtu u lexuan edhe pjesë nga trilogjia. Nuk munguan as tingujt e pianos.

Marketing