Vjedhje, terrorizëm, vrasje- rritet numri i të dënuarve në Kosovë

Dhomat e burgjeve kanë filluar të bëhen shtëpia e dytë për shumë kosovarë. Gjithë kjo, pasi që numri i të dënuarve në vend vetëm sa po rritet me kalimin e viteve. Përderisa, në 2003’ën ishin të dënuar rreth 5 mijë persona, në vitin e kaluar, numri i të dënuarve arriti në rreth 20 mijë. Ndërkohë, që të akuzuar nga Gjykatat Themelore në vend janë më shumë se 26 mijë persona. Shumica e tyre për vjedhje, vrasje, keqpërdorime e vepra të tjera penale, shkruan Gazeta Express.

Marketing

Gjykata Themelore në Gjakovë, gjatë javës që e lamë pas i shqiptoi dënimin prej 24 viteve burgim, Pjetër Ndrecajt, pasi që i njëjti i privoi nga jeta gruan dhe vajzën e tij nëntë vjeçare.

Për vrasje të rëndë, dënim prej 12 viteve mori edhe Nebih Berisha. Berisha vrau me thikë gruan e tij Zejnepen.

Por, këta nuk janë të vetmit që u dënuan nga organet e drejtësisë në Kosovë, e që janë në vuajtje të dënimit. Numri i të tillëve, vetëm sa po shkon duke u rritur me kalimin e viteve.

Që nga viti 2013 e deri më tani, në Kosovë janë dënuar më shumë se 18 mijë persona. Ndërsa, të akuzuar nga Gjykatat Themelore të Kosovës, janë edhe 26 mijë persona të tjerë.

Të gjithë këta janë të dënuar, e po akuzohen për vrasje të rënda, keqpërdorime, vjedhje e vepra të tjera që dënohen me ligjet e vendit.

Numri më i madh i tyre janë të gjinisë mashkullore, ndonëse nuk është i vogël as numri i femrave që kanë kryer vepra të tilla. Prej, 26 mijë personave sa janë dënuar përgjatë këtyre viteve, mbi 17 mijë prej tyre janë burra, ndërsa pjesa tjetër janë gra.

Gjithë kjo sipas raportit “Statistikat e Jurisprudencës”, që ka publikuar së fundi Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Në bazë të këtij raporti, numri i të dënuarve karhasuar me vitin e kaluar është rritur për rreth 900 persona më shumë.

“Numri i të dënuarve në vitin 2017 krahasuar me vitin 2016 është më i madh për 891 persona ,po ashtu ka rritje edhe numri i femrave të dënuara si kryese të veprave penale për 123 persona”, thuhet në raportin e ASK’së.

Në mesin e këtyre të dënuarve, një numër i madh i tyre janë dënuar për vjedhje të energjisë elektrike, keqpërdorime gjatë zgjedhjeve dhe vjedhje të pyllit.

Përveç këtyre, ka edhe persona që janë dënuar për bashkim apo pjesëmarrje në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, që ne vend nuk janë të rralla as paraburgimet e paligjshme nuk janë të pazakonta në Kosovë, madje ka edhe njerëz që dënohen pa argumente.