Vjosa Osmani godet LDK-në: Ky mocion është kundër vullnetit të qytetarëve

Kryeparlamentarja e Kosovës dhe njëkohësisht nënkryetare e partisë, Vjosa Osmani ka folur në seancën ku pritet të votohet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.
Osmani është shprehur se rrëzimi i qeverisë në këtë kohë është i pashembullt, duke shprehur keqardhje se kjo po ndodh, shkruan lajmi.net.

Marketing

Më tutje, ajo tha se kur egoja po kërkon të mbushten apetitet politike, mjekët po përpiqen të shpëtojnë çdo jetë.

“Sonte iu drejtohem vetëm juve, sepse si deputet mjaftueshëm i jemi drejtuar njëri-tjetrit me fjalë që lëndojnë raportet tona dhe qytetarët. Ky në fakt është një fjalim që asnjëherë nuk do të doja ta mbaja sepse si kryetare e Kuvendit kam përgjegjësi t’iu drejtohem nga ky Kuvend, ngase partia ime e përkrahur edhe nga opozita sot ka sjellur për votim mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë tuaj të nderuar qytetarë. Ky mocion është ngritur ndaj qeverisë së ndryshimit në një vend ku shumë politikanë nuk e duan ndryshimin.

Ky mocion është dorëzuar në kohën kur bota po vuan. Sot ne rrezikojmë ta humbim edhe atë fije solidariteti që e kemi. Ky është fjalimi që nuk do të doja ta mbaja, sepse në çastin që unë po flas Kosova dhe mbarë njerëzimi po përballen me sfidën e madhe të COVID19. Në këtë çast kur egoja jonë po na kërkon t’i përmbushim apetitet politike, mjekët po përpiqen të shpëtojnë çdo jetë. Por ne kemi vendosur t’i lëmë ata të pashpresë në betejën e tyre jetësore duke larguar qeverinë kur më së shumti ata kanë nevojë. Ne sot, do të duhej të diskutonim e të merrnim vendime për t’ua lehtësuar punëtorëve shëndetësorë punën dhe masat mbrojtëse.

Do të duhej të diskutonim për barna e ushqime të domosdoshme. Do të duhej të diskutonim masat shtesë për rastet sociale e grupet e rrezikuara nga virusi. Do të duhej të diskutonim për bizneset private që mund të falimentojnë. Shpallja e pandemisë dhe veprimet e kufizuara e dëmtojnë jetën sociale për qytetarët tanë. Sot rrezikohet që në Kosovë të përhapet një epidemi tjetër ajo e dehumanizimit të shpirtit.

Ju qytetarë, do ta mbani në mend atë çfarë ndodh sot si frikën nga virusi. Marrëveshja për bashkëqeverisje është kontratë, është besim që duhet të respektohet nga të gjithë, prandaj veprimet e pamatura politike që sot po ndikojnë keq për vendin kur qytetarët po luftojnë për jetë unë nuk i përkrahi e nuk i pranoj. Këto vendime do të përdhosin shpresën e qytetarëve për ndryshim.”, tha Osmani.

Më tutje, Osmani tha se rënia e qeverisë nuk shënon rënien e qëndresës qytetare.

Ajo tha se ka respektuar edhe qytetarët edhe zërin e kreut të partisë, Isa Mustafa, por tha gjithashtu se me mocionin po braktiset vullneti i qytetarëve.

“Rënia e qeverisë nuk shënon rënien e qëndresës tuaj ndaj të keqës sepse asnjë rënie nuk është e përhershme dhe asnjë betejë nuk është e pamundur. Ne shpesh kemi rënë e jemi ngirut me mbështetjen. Si kryetare e Kuvendit jam përpjekur të mbroj çdo parim politik e çdo fjalë të dhënë dhe çdo parim politik mbi të cilin ka funksionuar partia ime. Sikur ju qytetar, unë kam besuar në vlerat që na dhuruar në qindra tubime të LDK-së dhe në shpresën që e pamë pas formimit të qeverisë. Kur thonë se unë nuk shpreh qëndrimin e LDK-së mua më kujtohet çdo pikë edhe të qëndrimit të kryetarit të LDK-së e kam respektuar.

Unë besoj se qeveria ndërmjet partisë sime dhe Vetëvendosjes ka qenë e zonja të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe këtë e ka dëshmuar në këto pak ditë prandaj nuk mund të pajtohem me mocionin e mosbesimit sepse konsideroj se duke e votuar ne e braktisimin vullnetin e qytetarëve tanë për ndryshim. E di që ju sot ndjeheni të lodhur e të fyer dhe kështu ndihem edhe unë sepse zëri juaj sot nuk është dëgjuar e unë dua që zëri i secilit qytetar që pret të shohë se si vendosim ne në fakt të dëgjohet.

Unë do të flas me zërin që ma fuqizuar ju, duke pasur barrën e rëndë të udhëheqjes së kësaj seance, unë sot nga kjo foltore e nesër nga një dritare sado e vogël do të kërkoj ta kthej dritën në dritaren e madhe të Kosovës. Sepse dikush mund të flasë në aspektin legal në emër të LDK-së por kam të drejtë të flas në emër të elektoratit të LDK-së sepse e di cila ishte kontrata e cila e bëmë me qytetarët.

Ajo ishte, jo koalicionit të PAN-it dhe po luftimit të korrupsionit. Unë jam kundër çdo marrëveshje me partitë e PAN-it dhe nuk e thyej besimin e elektoratit të LDK-së për asnjë çmim. Në çdo tubim kam kërkuar besimin e qytetarëve nën slloganin BESO sepse kam qenë e bindur.”, tha më tutje Osmani.

Marketing