VMRO-DPMNE akuzon pushtetin se nuk ndërmerr asgjë për ndotjen e ajrit

Partia maqedonase opozitare VMRO-DPMNE, përmes një kumtese për media thekson se LSDM dhe Zoran Zaev e kanë errësuar shtetin. Sipas tyre, LSDM nuk ka mbajtur premtimet në lidhje me zgjidhjen e problemit me ajrin e ndotur në Shkup dhe qytete tjera të vendit.

Marketing

“Niveli i ndotjes disa muaj është në nivel të lartë, ndërsa Zaev dhe Shilegov nuk lëvizin fare. Premtuan ajër të pastër dhe çlirim të Shkupit nga ajri i ndotur, ndërsa dy vite pasi morën pushtetin nuk kanë ndërmarrë asgjë”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi Maqedoni. Ata shtojnë se qytetarët janë viktimat e drejtpërdreta të paaftësisë dhe moskujdesit të pushtetit.

“Kjo nuk mund të vazhdojë, duhen masa urgjente për ndotjen. Duhet menjëherë të fillojë projekti për gazifikimin në gjithë territorin e shtetit”, thonë nga partia opozitare VMRO-DPMNE.